Duke qenë së muaji qershor mbart data të shënuara për Kosovën, Presidenti Thaçi përmes një postimi në faqen e tij “Facebook” ka shkruar se institucionet e sigurisë duhet të kenë kujdes të veçantë për të parandaluar incidentet e mundshme që mund të ndodhin gjatë manifestimeve. Bashkëjetesa dhe toleranca kanë qenë, janë dhe do të mbesin virtyte të shoqërisë sonë, ka theksuar Thaçi.
Statusi i plotë i Presidentit Thaçit:
Kosova ka shënuar progres të dukshëm në ndërtimin e raporteve të mira ndëretnike në mes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë. Bashkëjetesa dhe toleranca kanë qenë, janë dhe do të mbesin virtyte të shoqërisë sonë. Por, janë shqetësuese edhe ato pak incidente ndëretnike që janë shënuar në ditët e fundit. Këtyre sjelljeve duhet t’ua ndalim rrugën menjëherë dhe të mos lejojmë që të bëhen të pranueshme në shoqërinë tonë. Në muajin qershor, të gjitha komunitetet e Kosovës kremtojnë ditë dhe data të shënuara. Këto duhet të respektohen nga të gjithë dhe të dënohet çdo cenim apo përpjekje për të penguar shënimin e tyre. Nga institucionet e rendit dhe sigurisë, kërkoj që të kenë kujdes të shtuar në marrjen e të gjitha masave për parandalimin e çfarëdo incidenti të mundshëm gjatë këtyre manifestimeve.HSH