Policia greke ka zbuluar një impiant të plotë të kultivimit dhe përpunimit të kanabisit dhe ka arrestuar dy shtetas të huaj. Identiteti i tyre nuk është bërë i ditur për arsye hetimi, edhe pse dyshohet se janë dy shtetas shqiptarë, njëri prej tyre është raportuar se ka shtetësi shqiptare.
Impianti funksiononte që prej dy vjetësh në një banesë përdhese në zonën Kalithea të Athinës.
U sekuestruan 470 fidanë kanabisi me gjatësi normale, që kultivoheshin me metodën e serës. Policia thotë se vlera monetare që do të përfitonin pas kryerjes së gjithë ciklit, është më shumë se 350.000 euro.
Gjithashtu u sekuestruan 12,6 kg kanabis i papërpunuar.
Policia ka sekuestruar po ashtu në cilësinë e provës, 49 gramë vaj kërpi, gjithë pajisjet e nevojshme për funksionimin e fidanishtes, peshore elektronike precizioni, një shumë parash prej 1.420 euro si dhe 8 telefona celularë./ora news