Kosova sot është në ditë zie, në përkujtim të legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrrit, i cili ndërroi jetë mëngjesin e së shtunës. Vendimin për ditë zie shtetërore e ka kumtuar dje zyra e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, shkruan GazetaBlic. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur ditën e diel, 10 qershor 2018, ditë zie në Kosovë, në nderim të Fadil Vokrrit.
Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, me vendim të presidentit Thaçi, sot flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. Vokrri ndërroi jetë si pasojë e një komplikimi shëndetësor, të cilin nuk mundi ta tejkalojë as pasi u dërgua me urgjencë në qendrën kryesore spitalore të vendit. Shumë qytetarë natën e mbrëmshme kanë ndezur qirinjtë për ta nderuar të ndjerin Fadil Vokrrin.Qytetarët janë mbledhur para Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Aty ishin të pranishëm edhe familja Vokrri, dhe Federata e Futbollit. Ftesa për të ndezur qirinjtë është bërë nga Flamur Beqiri, njëri nga biznesmenët, veprimtarët dhe simpatizuesit e hershëm të lojës së Fadil Vokrrit, duke shprehur në këtë mënyrë një mënyrë dinjitoze të respektit dhe vlerësimit për Fadil Vokrrin!