Misioni mbaroi! Sipas përfytyrimeve të Shoqatës së Bundeswehrit mandati i trupave gjermane nuk nevojitet të zgjatet më përtej vitit 2019.
Ushtarët gjermanë nuk janë më të nevojshëm dhe mund të tërhiqen vitin e ardhshëm nga Kosova, sipas Shoqatës së Bundeswehrit, kjo 20 vjet pas misionit të ndërhyrjes në Kosovë në vitin 1999. Andre Wüstner, kryekolonel dhe kryetar i Shoqatës së Bundeswehrit tha për gazetën gjermane online "Welt", se "në fund të vitit 2019 ushtarët tanë mund të kthehen në shtëpi". Misioni i filluar në vitin 1999 është zhvilluar me shumë sukses, prandaj ka ardhur koha që të fillohet me përgatitjet për fundin e tij, tha ai.
Për shkak të zhvillimeve proporcionalisht pozitive në rajon, ushtria nuk është më e nevojshme "ndoshta vetëm për funksion këshillues në nivel strategjik", u shpreh Wüstner për "Welt". Në vend të kësaj ndihma duhet të përqëndrohet në Kosovë në aspektin e "mbështetjes së policisë, drejtësisë dhe zhvillimit". Të enjten Bundestagu vendosi edhe njëherë zgjatjen me një vit të misionit gjerman me 800 ushtarë në Kosovë. Aktualisht në Kosovë ndodhen 400 trupa gjermane. Sipas përfytyrimeve të Shoqatës së Bundeswehrit mandati i trupave gjermane nuk nevojitet të zgjatet më vitin e ardhshëm.