Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte sot i pranishëm në ceremoninë mortore dhe homazhet shtetërore në nder dhe respekt të atdhetarit, luftëtarit të lirisë e simbolit të rezistencës kombëtare, “Mandelës së Evropës”, Adem Demaçi.
Presidenti Meta u takua dhe u shprehu personalisht ngushëllimet dhe hidhërimin e thellë bashkëshortes, zonjës Xhemajlie Demaçi, si dhe vajzës Abetare dhe djalit Shqiptar, të afërmve, miqve, bashkëluftëtarëve, bashkëvuajtësve e bashkëpunëtorëve të shumtë të të ndjerit Demaçi.
Presidenti Meta vendoi një kurorë me lule duke bërë homazhe e duke nderuar kujtimin dhe veprën e luftëtarit të lirisë së Kosovës dhe simbolit të rezistencës shqiptare, i cili pas ceremonisë shtetërore të lamtumirës, do të prehet në “Varrezat e Dëshmorëve” në Velani.
Në fjalën e rastit në ceremoninë shtetërore të mbajtur në Sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Prishtinë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në prani të autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës duke filluar nga Presidenti Thaçi e me radhë, drejtuesit e institucioneve të Shqipërisë e Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, dhe mijëra bashkëatdhetarëve të ardhur nga mbarë trojet shqiptare e nga Diaspora, u shpreh:
“Jemi mbledhur sot këtu t’i japim lamtumirën e fundit heroit të pashembullt të rezistencës për liri e dinjitet kombëtar e njerëzor.
Në jetën e tij prej shqiptari të ndershëm e fisnik, ai kurrë dhe asnjëherë nuk u dorëzua dhe nuk u step.
Por qëndroi gjithmonë në këmbë e stoik, ballë për ballë me të keqen dhe tiraninë, në luftë me ata që shtypnin me dhunë popullin dhe kombin tonë.
Qëndroi, luftoi dhe fitoi!
Duke u bërë për të gjithë shqiptarët, modeli dhe shembulli i përkushtimit për Atdheun, i sakrificës dhe i dashurisë për të, i vetëmohimit dhe i dedikimit me gjithçka e pa cak për lirinë e popullit!
I dashur Baca Adem,
Jeta jote ishte luftë, dhe ti këtë luftë e fitove!
Jeta jote ishte sakrificë pambarim, por ti ia dole t’i përballosh e t’i sfidosh ato si rrallëkush, e me urti e fisnikëri, sepse ti ishe dhe mbete Adem Demaçi i Kosovës, dhe Kosova dashuria e shpirtëzuar në Ty!
Evropa dhe e gjithë bota të njohu, si ‘Mandela i Evropës’, si ‘Saharovi’ shqiptar, si i burgosuri politik me më shumë vite burg të vuajtura në ish-Jugosllavi.
Por në fakt ti ke qenë, je e do të mbetesh përjetë Adem Demaçi shqiptar, maratonomaku i palodhur i lirisë!
Ti, je njeriu, je prindi, shoku e miku përherë pranë, je intelektuali e qytetari, shkrimtari e gazetari i pakompromis, mbrojtësi i të drejtave të njeriut pa marrë parasysh se cilit komb i takojnë, politikani i veçantë në veprime dhe qëndrime, humanisti i shquar, ti je Adem Demaçi, njeriu ndryshe i nënqiellit tonë.
Sot fjalët Bacë janë të mangëta për ty.
Sot dhimbja e rëndë është sa një mal!
Prehu në paqen e përjetshme heroi ynë!
I lehtë të qoftë dheu i Kosovës që aq shumë e deshe, dhe që gjithçka ia fale me besnikëri dhe fisnikëri!
Lamtumirë, Baca Adem Demaçi!
Heroi ynë i përjetshëm i përpjekjeve për liri.”