500 kriminel janë të përfshirë në dëshmitë e dorëzuara deri tash nga përfaqësues të Grupit të Shoqërisë Civile për grumbullimin e dëshmive për krime lufte dhe përgatitjen e kallëzimeve penale kundër krimeve serbe gjatë luftës së viteve 1998/99, në komunën e Gjakovës. Kështu ka pohuar Mevlude Saraqi-Mezini pas dorëzimit të kallëzime penale në Prokurorinë Speciale të Kosovës – Departamenti për Krime Lufte, shkruan "Zëri.Info".
Sipas saj, në këto kallëzime penale janë të gjitha dokumentet e nevojshme që dëshmojnë se ata persona kanë kryer krime në Gjakovë.
“Sot e dorëzuam kontingjentin e gjashtë që përbëhet prej 82 kallëzimeve penale kundër kriminelëve serb të cilët kanë kryer krime lufte kundër popullatës së Gjakovës. Këto kallëzime penale janë të përmbushura me dëshmi , me fotografi, fakte, deklarata , me nënshkrime dhe dokumente përcjellëse”, tha ajo.
Është fat i keq që Kosova sipas saj, ka arritur gati në përfundimin e dekadës së dytë dhe nuk është dënuar asnjë kriminel. Mezini shpreson që kësaj radhe kallëzimet penale nuk do të flenë në sirtar, siç kanë fjetur më përpara në sirtarët e UNMIK-ut dhe EULEX-it.
Ajo beson që shteti i Kosovës dhe drejtësia e pavarur që t’i kryej të gjitha rastet me nder, që kriminelët e vërtet të dënohen. Sipas saj, përkundër dorëzimit të disa kallëzimeve penale,deri tash asnjë dëshmitar nuk është thirrur nga Prokuroria Speciale. “Ne jemi të sigurt se janë duke punuar sepse na kanë treguar se lëndët janë ndarë te disa prokuror, na ka përmendur disa emra që na kanë bindur se po punojnë me lëndët, mirëpo ende asnjë dëshmitar të cilët kanë deponuar dëshmitë e tyre nuk janë ftuar nga prokuroria”, ka thënë Saraqi-Mezini.
Ajo tha një mesazh për gjithë kriminelët, duke bërë të ditur se krimi nuk plaket dhe kriminelët herdo kur do të përgjigjen para drejtësisë. Ndërsa Shkëndije Hoda tha se shumë qytetarë të Gjakovës janë të gatshëm të dorëzojnë fakte për krimet e kryera. “Gatishmëria shihet dita ditës, nuk ka ditë që nuk vijnë palë që ti paraqesin krimet e kryera nga serbët dhe ne vazhdojmë të punojmë me orar të plotë.
Do të mundohemi deri në fund të procesit të kësaj pune ti nxjerrim të vërtetat e hidhura që kanë ndodhur në komunën e Gjakovës”, tha ajo./ZËRI