Policia ka filluar me identifikimin e personave të dyshuar për thirrje anti-shqiptare ditë më parë në Krushevë. Burime nga ministria e Brendshme konfirmojnë se ka filluar marrja në pyetje e disa personave.
Jo zyrtarisht, pesë persona janë thirrur në bisedë informative, ndërsa numri pritet të rritet. Masat ndaj tyre nuk bëhen të ditura. Në mesin e tyre është edhe Martin Bogoevski, ushtar profesionist në ministrinë e Mbrojtjes. Për veprimet e tij, në kuadër të dikasterit të Mbrojtjes është formuar Komision disiplinor dhe i njëjti është thirrur në bisedë informative nga Policia ushtarake.
Ministria e Mbrojtjes: “Gjatë marrjes në pyetje ushtari Bogoevski, edhe pse shihet qartë nga video incizimet e siguruara, ka mohuar se ka qenë pjesë e grupit të cilët sulmuan në mënyrë verbale dhe me mjete të forta delegacionin qeveritar dhe mysafirët si zyrtarë të lartë të cilët kishin ardhur për të shënuar përvjetorin e Ilindenit”.
Policia është duke hetuar edhe tentativat për t’i goditu me kanaçe dhe shishe plastike delegacionet e huaja, pjesë e të cilës ishte edhe zyrtari amerikan Methju Pallmer. Për zbardhjen e rastit është duke punuar edhe Prokuroria Publike. Organi akuzës konfirmon se procedura ndodhet në fazën para-hetimore.
Prokuroria Publike: “Në bazë të denoncimeve nga ana e dikasterit të Brendshëm, po punohet në zbardhjen e elementeve të veprës dhe përgjegjësisë penale lidhur me thirrjet për urrejtje një ditë më parë në Krushevë” shkruan Alsat.tv
Në shënimin e përvjetorit të Ilindenit, pjesëmarrës të caktuar e që dyshohen të jenë anëtarë të tifo grupit Komitët, në sy të presidentit Ivanov bën thirrje anti-shqiptare. Thirrjet e tyre u nxitën edhe nga fjalimi i Ivanovit.