Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar sot në lidhje me përplasjen e ditës së djeshme për çështjen e kufijve mes tij dhe ish-Kryeministrit Berisha. Nëpërmjet një interviste për mediat në Kosovë Thaçi ka sqaruar se statusi i tij i fundit në FB nuk i është drejtuar ish kryeministrit Berisha.
“Statusi im i fundit në FB nuk i është drejtuar Sali Berishës. Berisha ka dhënë vendimin e vet unë e respektoj. Interpretim i mediave asgjë më shumë”, ka thënë ndër të tjera Thaçi, teksa ka theksuar se nuk ka asnjë çështje personale me asnjë lider në Shqipëri.
KosovaPress: Ndërkohë, për qëndrimin tuaj jeni kritikuar ashpër nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Menjëherë iu keni përgjigjur me kundërakuza të rënda. Pse reaguat ndaj tij?
Thaçi: Ky është vetëm interpretim i mediave dhe asgjë më shumë. Së pari, mendoj që z. Berisha ka dhënë mendimin e vet për atë se çfarë mendon për zhvillimet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Unë e respektoj mendimin e tij, por mendoj se nuk mjafton vetëm respektimi i të drejtave të njeriut për shqiptarët atje, sepse Serbia ka dështuar ta bëjë këtë në vazhdimësi.
Unë konsideroj që ne kemi një mundësi të vogël që të provojmë bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Fundja, kjo është ajo çfarë shqiptarët dhe përfaqësuesit politikë të Luginës janë duke kërkuar nga institucionet e Kosovës.
Unë jam i prirë të dëgjoj më shumë këta të fundit, se sa këdo tjetër. Por, me vjen keq që disa media janë bërë mjeshtër të shtrembërimit të së vërtetës. Lehtë është të parashikohen tituj të tillë bombastikë edhe pas kësaj interviste. Por, interesi shtetëror dhe nacional nuk vendoset nga lajmet e rrejshme, por vetëm me vendime institucionale dhe të përgjegjshme. Unë nuk kam çështje të hapura personale me asnjë lider në Shqipëri apo në Kosovë.
Mirëpo sigurisht se kemi dallime kur është në pyetje dialogu me Serbinë. Pavarësisht kësaj, unë besoj në drejtësinë historike që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja duhet t’i bashkohen Kosovës.