Besimtarët e besimit islam sot festojnë festën e Kurban Bajramit, festa e dytë më e madhe myslimane menjëherë pas Fitër Bajramit.
Për qytetarët e Kosovës, manifestimi qendror për territorin e Kosovës është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Manifestimi filloi në ora 5:10, me faljen e namazit të sabahut nga Hfz.Xhelal ef. Kaloshi, pas të cilit ishte edhe ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën e mbajti Bahri ef. Sejdiu ligjërues në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Namazi i Kurban–Bajramit u fal në ora 06:25 të cilit i priu Hfz.Xhelal ef. Kaloshi, ndërsa Hytben – mesazhin e Kurban – Bajramit e mbajti, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava.
Me rastin e festës së Kurban – Bajramit, ditën e parë, e BIK, Kryesia e BIK si tradicionalisht organizon pritje në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Kurban – Bajramit, duke e lutur Zotin që të na pranojë Haxhin, kurbanin, lutjet dhe ibadetet tona.