Senatori amerikan Ron Johnson, ka deklaruar se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është i interesuar që ta zgjidhë çështjen e Kosovës.
Gjatë një interviste dhënë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, ai ka pranuar se Trump është personalisht i interesuar që ta zgjidhë çështjen mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Telegrafi.
“Po, kjo administratë është e interesuar për këtë. Tri herë kam udhëtuar në Ballkan, pasi më ka inkurajuar ndihmës sekretari i Shtetit, Wess Mitchell. Qytetarët në Kosovë dhe Serbi duhet të jenë të sigurt që kjo administratë, Senati dhe Kongresi janë të interesuar të kontribuojnë në zgjidhjen e këtij problemi”, ka shtuar Jonhson.
Senatori amerikan ka ripërsëritur se SHBA-të nuk kanë vija të kuqe kur është në pyetje zgjidhja e problemit të Kosovës, dhe inkurajon liderët e dy vendeve nëse arrijnë të gjejnë ndonjë marrëveshje, duke shtuar se një gjë e tillë nuk do të jetë e lehtë dhe nuk mund të kryhet shpejt.
“Dëshirojmë të bëjmë diçka që të inkurajojmë presidentin Thaçi dhe Vuçiq që të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e problemit, që do të mundësonte stabilitet në Ballkan”, ka shtuar Johnson.