Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin e tij se “kufijtë janë të panegociueshëm” në bisedimet me Serbinë, dhe kjo deklaratë e tij vije pas deklaratës së sotme të presidentit Hashim Thaçi i cili tha se “patriotizmi dallon nga pjesëmarrja në procese, aty kërkohet mençuri”.
Këtë deklaratë kryeministri Haradinaj e bëri në Kuvendin zgjedhor të Aleancës së të Rinjve të Kosovës në Ferizaj.
Më këtë rast kryetari i AAK-së e ka quajtur Ferizajn “promotor të zhvillimit ekonomik, sepse ai ka zënë hapin e zhvillimit ekonomik”.
Ai shtoi se Ferizaj nuk po mbetet më qytet i një rajoni diku, por po bëhet kryeqendër e rajonit të vet. Ai theksoi ndërtimin e spitalit të Ferizajt dhe shprehu dëshirën që të mund të fillohet edhe me ndërtimin e liqenit të Lepencit.
Duke folur për FSK-në, ai tha se tani do të jetë Ushtri e Kosovës, e barabartë me të gjitha ushtritë e shteteve sovrane.
"Ju siguroj se mandati i Ushtrisë sonë është i plotë dhe nuk ka dallim prej mandateve të ushtrive tjera të shteteve sovrane, pra nuk ka asnjë mungesë. Çdo e drejtë e një ushtrie që ekziston, e ka FSK-ja. Ia kemi dhënë këtë mandat. Çka është më rëndësi, e kemi fituar besimin për këtë punë që po e bëjmë, për pjekurinë që po tregojmë, për seriozitetin që po tregojmë të aleatët tanë. E kemi fituar besimin edhe të serbëve të Kosovës, ka të rinj e të reja serbë që janë pjesëtarë të FSK-së, ka edhe tjerë që po duan të bëhen, edhe pse po u bëjnë presion disa po e lëshojnë, disa të tjerë prapë po duan të bëhen. Do të rritet për 2-mijë”, tha ai, raporton KsP.
Haradinaj foli edhe për investimet e ardhshme në energji në vlerë prej 1.3 miliardë dollarë, ndërsa pohoi se liberalizimi i vizave nuk është projekt i dështuar. “E kam zhvilluar një takim tepër të mirë me kryeministrin e Holandës”, tha ai, ndërsa tregoi se është në kontakt të vazhdueshëm edhe me qeverinë gjermane.
Haradinaj po ashtu shprehu besimin që më 20 nëntor, Kosova do të bëhet anëtare e Interpol-it.
Haradinaj në fund të fjalës së tij foli edhe për negociatat me Serbinë dhe temën më të nxehtë, çështjen e kufirit.
“Ato qëndrimet rreth negocimit me Serbinë, ne jemi të vetëdijshëm se edhe duhet mençuri, edhe duhet zgjuarsi, edhe duhet zotësi, por një gjë po ashtu e di, që s’bënë me ngucë atë që është mbërri, pra s’guxojmë me rihap Kosovën, kufijtë, territorin. Nëse shtohemi e rritemi, askush nuk është kundër, por s’guxojmë me hap për diskutim a negocim atë që kemi mbërri, pra është gabim. Sot me të gjitha paritë politike që jemi në koalicion, kemi rënë dakord për një rezolutë, që thotë: kufijtë janë të panegociueshëm”, tha Haradinaj.