Deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA, me kryetar Bilall Kasamin, do të votojnë “për” hapjen e Kushtetutës, vendim që pritet ta miratojë Qeveria në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet sot pasdite, njofton Portalb.mk.
“Sipas procedurës ligjore, Qeveria mund të dorëzojë deri në Parlament nevojën për hapjen e Kushtetutës dhe realisht jemi përcaktuar që në fillim, “për” hapjen e kushtetutës si proces dhe normalisht brenda kësaj, pastaj ka detajet e veta me propozime konkrete. Kështu që në këtë fazë, do të votojmë. Me hapjen e kushtetutës normalisht që Lëvizja BESA, do t’i propozojë edhe ato çështje që ne i kemi përmendur edhe gjatë fushatës së referendumit, por edhe në zgjedhjet e kaluara që janë përcaktime programore, jo vetëm të Lëvizjes BESA si parti, por të gjithë shqiptarëve”, thotë për Portalb Arianit Hoxha nga Lëvizja BESA.
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët thonë se janë “për” hapjen e Kushtetutës me qëllim që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe Maqedonisë t’i hapet rruga euro-atlantike.
“Kemi bërë thirrje vazhdimisht që të arrihet konsensusi i nevojshëm në Kuvendin e RM, që të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese për Marrëveshjen Maqedoni dhe Greqi, dhe ta hapet mundësia qe vendi të integrohet ne NATO dhe BE. Kemi përkrahur pa asnjë mëdyshje referendumin, dhe kemi treguar gatishmëri për ta përkrahur edhe votimin në Kuvend. Gjithashtu vlerësojmë se nevojitet një kohezion i brendshëm politik në kuadër të kërkesave te shqiptarëve që janë legjitime dhe ne përputhshmëri me vlerat e shteteve te BE-së dhe NATO-s. Kuptohet se një barazi politike, ekonomike, do ta demokratizonte Maqedoninë ende me shume dhe do ta përshpejtonte rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, deklaroi Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.
Ndryshe, ndryshimet kushtetuese që duhet të bëhen në Kuvend me qëllim që të hyjë në fuqi Marrëveshja me Greqinë, janë shkaku kryesor që vendi rrezikon të zhytet në një krizë të re politike. Opozitarja VMRO-DPMNE, është pengesa kryesore pa të cilën këto ndryshime nuk mund të bëhen, pasi që duhet të votojnë 80-të deputetë, numër të cilin, tani për tani, pushteti po gjen mënyra se si mund ta arrijë.
Në rast se nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, atëherë sipas paralajmërimeve të kryeministrit Zoran Zaev, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, me synim që bashkë me koaliconuesit t’i arrijë 80-të deputetë. Në të kundërtën, nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, Marrëveshja me Greqinë nuk do të hyjë në fuqi, gjegjësisht nuk do të ratifikohet në parlamentin grek. Si rezultat i kësaj, Maqedonia do ta humb ftesën për anëtarësim në NATO, si dhe do të ndërpritet procesi i negociatave me BE-në.