Kriza mes Serbisë dhe Kosovës mund të sjellë një luftë të re, thotë ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç, në një intervistë për “Der Standard”. Ai është shprehur kundër korrigjimit të kufijve në baza etnike.
“Vetë propozimi i tillë është gabim dhe nuk është ide e mirë, pasi arkitektura e Evropës është përfunduar me pavarësinë e Kosovës. Gjithçka që ka të bëjë me ndryshimin e kufijve, do të sillte katastrofa deri te luftërat e reja”, tha Mesiç, duke shtuar se të gjithë luftërat në historinë e Evropës kanë filluar si pretekst për të mbrojtur minoritetet e tyre kombëtare, por në fakt, qëllimi ka qenë për të fituar territore të reja.
Më tej njohësi i vjetër i politikës ballkanike shtoi se shembulli mes francezëve dhe gjermanëve duhet të ndiqet edhe nga shqiptarët dhe serbët – të jetojnë në një botë të hapur dhe ligje të ngjashme. Si shembull që sjell pasoja katastrofike të ndryshimit të kufijve Mesiç merr politikën e ndarjes së Bosnjë e Hercegovinës mes presidentëve Tuxhman dhe Milosheviç. “Kjo politikë ishte përgjegjëse për vrasje e 100 mijë personave në Bosnjë”, tha ai.
Në fund Mesiç thekson se Franca dhe SHBA e kanë kuptuar rrezikun se çfarë do të thotë ndryshimi i kufijve. Ndryshimi i kufijve mund të mbështetet vetëm nga Rusia, e cila kërkon të legjitimojë aneksimin e Krimesë.