Komisioni Hetimor Parlamentar në Kosovë ka miratuar Draft-Raporti lidhur me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe e Qeverisë. Anëtarja e këtij Komisioni Arbërie Nagavci ka thënë që prokuroria duhet të nis hetimet ndaj Thacit për përdorim të paligjshëm të fondeve për lobim.
“Prokuroria të nis hetimet lidhur me përdorimin e paligjshëm të fondeve për lobim nga Hashim Thaçi. Sot mbajtëm mbledhjen e fundit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës dhe votuam edhe Draft Raportin”, ka shkruar Nagavci në një postim në “Facebook”.
Ajo ka shkruar që MPJ dhe Presidenca kanë tentuar ta pengojnë punën e komisionit hetimor parlamentar duke mos ofruar raportet e punës. “Gjatë 6 muajve të punës, pati përpjekje të qartë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Presidenca për të penguar hetimin parlamentar. Ata nuk ofruan materialet e kërkuara nga komisioni hetimor, si kontrata apo raporte të punës dhe nuk u paraqitën në seancat intervistuese. Megjithatë nga shqyrtimi i të dhënave që kemi siguruar, ka bazë të mjaftueshme për shkeljet e bëra, për keqpërdorim të buxhetit të vendit, andaj dhe për hetime nga ana e Prokurorisë së shtetit”, ka shkruar me tej ajo.
Sipas saj në dëshminë e dhënë nga këshilltari i Thaçit Ardian Arifaj ka pasur kundërshti. “Hashim Thaçi ish Ministër dhe tash President, përkundër ftesave nga komisioni hetues, nuk dha asnjë përgjigje, njëjtë edhe ministri aktual i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
Por Këshilltari i Presidentit, Ardian Arifaj gjatë dëshmisë ka dhënë dy deklarata kontradiktore dhe është evidente në kuptimin e dëshmive se mjetet nga buxheti i vendit, gjegjësisht nga fondet e destinuara për lobim janë përdorur për promovim personal të Hashim Thaçit, pra për shkruarjen e parathënies së librit për të”, ka shtuar ajo duke thënë që ky raport do të diskutohet edhe në Kuvend.
“Raporti do të diskutohet edhe në Kuvend, por gjithsesi Prokuroria e Republikës së Kosovës ka obligim të hetojë si keqpërdorimet e buxhetit nga ana e Presidentit Thaçi, për promovim personal, ashtu si dhe këshilltarin e tij për deklarata të rrejshme e bashkëpunëtorët tjerë për pengimin e punës së komisionit, keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe veprat tjera penale. Po ashtu ka dyshime të bazuara por që kërkojnë më tej hetim se të njëjtat janë përdorur edhe për shtyrjen përpara të idesë së shkëmbimit të territorit që po e bart Presidenti aktual. Kuvendi do të duhet ta niste po ashtu një komision që e shqyrton këtë temë po ashtu”, përfundon postimi i Nagavcit.