Dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore, janë paralajmërime për ndarjen e veriut nga Kosova, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Idetë e lansuara nga tavolina e bisedimeve ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë për ndryshim apo korrigjim të kufirit, Mustafa thotë se mund të bëhen realitet dhe kritikon Qeverinë e Kosovës për inferioritet ndaj këtyre zhvillimeve.
“Unë e shoh këtë edhe një parapërgatitje për ndarje e veriut nga vendi, sepse ata tani po shfrytëzojnë një propagandë të kulluar në tubimet e tyre. Sigurisht të dirigjuar nga Beogradi dhe nga Vuçiç në mënyrë të drejtpërdrejtë, kinse ata janë të diskriminuar. Prandaj, unë konsideroj se institucionet e Kosovës, po sillen në mënyrë të papërgjegjshme ndaj situatës në veri dhe është rrezik se ajo çfarë është thënë publikisht se duhet të bëhet korrigjimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve, ndarja etj, ajo po na ndodh para syve, për shkak të një indolence dhe një sjelljeje të papërgjegjshme të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, u shpreh Mustafa.
Mustafa konsideron se taksa 100 për qind që Qeveria e Kosovës ua ka vënë mallrave të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, nuk është vlerësuar e menduar mirë nga autoritetet e Prishtinës.