Katër hajdutë akrobatë, 3 prej të cilëve shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane në Trento. "Corriere" shkruan se është goditur një bandë hajdutësh profesionistë, të cilët kanë kryer dhjetëra vjedhje me një shifër të vlerësuar prej rreth 400 mijë eurosh.
Grupi e kishte bazën në brendësi të Milanos, ndërkohë që 4 banditë të tjerë janë në kërkim. Agjencia shkruan se baza logjistike e grupit ishte një apartament i marrë me qira nga një 22 vjeçare rumune, Cristina Daganel dhe i dashuri i saj Bardhok Rica, 20 vjeç.
Destinacioni i mallrave nuk dihet ende ndërsa hetimet janë në vazhdim. Gjatë hetimeve është zbuluar se grupi ka realizuar dhjetëra grabitje në pak muaj. Deri më tani në kuadër të operacionit "Black Point", janë zbuluar 30 vjedhje, 4 prej të cilave në Bolzano.
Rreth 40 mijë euro mallra janë grabitur vetëm në një vilë luksoze nëntorin e kaluar. Me atë rast u arrestua njëri prej hajdutëve, Bardhok Rica.
Në pak më shumë se katër muaj, hetuesit e policisë të Bolzanos dhe ata të Milanos, arritën të shpërbënin një nga bandat e kusarëve "akrobatë", autorët të bastisjeve të ndryshme në Trentino dhe në Alto Adige.
Përveç shqiptarit Rica, shqiptarët e tjerë të arrestuar janë Klaudio Çoba, 25 vjeç, dhe Asllan Leka, 27 vjeç, të dy banues në Bolzano.
Në sytë e grabitësve, shënjestër ishin vetëm vilat dhe apartamentet. Grabitjet u planifikuan me detaje, me patrullime të shumta paraprake me anë të një Fiati Grande Punto, ku kuptohej nëse shtëpitë kishin njerëz ose jo.
Grupi i shqiptarëve dhe rumunëve, grabisnin gjithmonë në orët e vona të pasdites. Ata ishin të aftë për t'u ngjitur nëpër tubat e gazit, madje, edhe nëpër disa kate. Më pas, ata hapnin dritaret ose dyert dhe hynin nëpër shtëpi, duke grabitur sende luksoze, çanta, bizhuteri.