Instituti Evropian për Studime të Sigurisë ka publikuar një analizë në të cilën projektohet ajo se çfarë do të mund të ndodhë pas dy viteve, nëse gjatë vitit 2019 nënshkruhet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkëmbim të territoreve dhe korrigjim të kufijve.
Në këtë analizë të përkthyer nga Gazeta Express, fillimisht përshkruhet një situatë e paramenduar e cila potencialisht mund të ndodh në vitin 2021. Parashihen trazira e protesta të dhunshme si në Beograd njëjtë në Prishtinë nga kundërshtarët e kësaj ideje.
Në krye të këtyre protestave projektohet lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Përveç këtyre, si pasoja të tjera cilat parashikohen nga një marrëveshje të mundshme për korrigjim të kufijve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, janë nxitja e lëvizjeve të ngjashme për ndryshime të kufijve në Maqedoni, Bosnje e Mal të Zi.
Çfarë nëse…Kosova dhe Serbia i shkëmbejnë territoret?
Kur ora e madhe që ndodhet përballë Sheshit të Republikës në Beograd shënoi orën 12 të mesnatës së 1 qershorit të vitit 2021, policia e armatosur rëndë i mori pozicionet e tyre në rrugët e kryeqytetit serb. Kanë marrë mësim nga kryengritjet e gjera që ndodhën në dhjetor të vitit 2019 për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Serbisë, në të cilën përfshihet edhe shkëmbimi i territoreve. Marrëveshja hyri në fuqi po atë ditë dhe autoritetet në Beograd dhe Prishtinë u përgatitën për t’u përballur me protesta të partive serbe dhe shqiptare, të cilat e kundërshtuan atë.
“Kjo qeveri dhe ky president nuk janë asgjë tjetër pos tradhtarë dhe ne të gjithë e dimë se si duhet të sillemi me tradhtarët”, tha Vojislav Shesheli, kryetar i Partisë Radikale Serbe. Duke iu drejtuar mijëra protestuesve të mbledhur në shesh, me një kapelë tradicionale serbe dhe me një emblemë çetnikësh në të, ai ishte në skenë bashkë me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe përfaqësues të lëvizjeve tjera nacionaliste, si “Dveri”, “Treca Srbija” dhe “Lëvizja 1389”. Disa nga udhëheqësit e lëvizjes së re, “Aleanca për Serbinë”, e cila i bashkoi shumicën e grupeve opozitare, ishin gjithashtu të pranishëm.
Në anën tjetër, qindra autobusë të mbushur me protestues u nisën nga e tërë Serbia drejt Luginës së Preshevës, rajon që ndodhet në jug të Serbisë dhe i cili iu bashkua zyrtarisht Kosovës më 1 qershor. Kjo u bë me qëllim të bllokimit të rrugëve dhe të parandalimit të tërheqjes së ushtrisë e policisë serbe nga ky territor. Përndryshe, popullsia shqiptare dolën gjithashtu në rrugë, duke valëvitur flamuj të Shqipërisë dhe Kosovës për t’i mirëpritur forcat speciale të Kosovës.
Megjitatë, qeveria serbe nuk ishte e vetmja që u përball me kundërshtim të zbatimit të marrëveshjes. Autoritetet kosovare u përballën me dy detyra në të njëjtën kohë: vendosjen në territoret e reja dhe ruajtjen e paqes në Prishtinë për shkak të tërheqjes nga veriu i Kosovës, i cili iu bashkua Serbisë. Protesta e madhe në Prishtinë, e udhëhequr nga lëvizja “Vetëvendosje” dhe Albin Kurti dhe e mbështetur nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, solli krizën më serioze politike në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.
“Sot nuk është ditë e fitores, siç po mundohet ta paraqesë qeveria jonë. Sot po e japim atë për të cilën luftuam në këmbim të diçkaje që tashmë ishte e jona”, tha Kurti.
Disa minuta më vonë, turma që brohoriste “poshtë qeveria” filloi t’ua vinte flakën veturave përderisa po marshonin nga sheshi “Nënë Tereza” drejt ndërtesës së qeverisë. Policia ishte e detyruar që shpejt t’i vendosë barrikadat për ta mbrojtur ndërtesën kryesore të qeverisë në kryeqytetin kosovar.
Shumë shqiptarë që jetonin në komunat e kontrolluara nga serbët në veri të Kosovës dhe shumë serbë që jetonin në jug të Kosovës dhe në Luginën e Preshevës tashmë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre prej kohës së nënshkrimit të marrëveshjes në vitin 2019. Misioni vëzhgues i Kombeve të Bashkuara, i cili e kishte vizituar më parë rajonin, raportoi se si shumë njerëz kishin shpresuar që marrëveshja të mos zbatohet. Sidoqoftë, pasi ajo u bë realitet, atyre nuk u mbeti zgjidhje tjetër përpos zhvendosjes. Prandaj, kufiri i ri tashmë kapërcehej nga të dyja palët. Policia dhe ushtria lëviznin drejt territoreve të reja, ndërsa kolonat e civilëve i linin prapa vetes shtëpitë e tyre. Siç raportoi agjencia “Associated Press”nga kjo skenë, “ka pak gjasa që në Kosovë, Serbi dhe në pjesën tjetër të Ballkanit të kthehet normaliteti brenda një kohe të shkurtër”.
Pasojat
Kur Beogradi dhe Prishtina ishin pajtuar për kushtet e shkëmbimit të territoreve më 2019, askush nuk kishte mundur t’i parashikonte saktësisht efektet negative të këtij procesi. Ndikimi i saj në rajon u bë i qartë vetëm pas zbatimit të saj. Lëvizje të ndryshme politike u krijuan shpejt në Shqipëri, në Ish-republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe në Mal të Zi, të cilat bënin thirrje për marrëveshje të ngjashme, duke thënë se multietniciteti ka dështuar në Ballkan. Ata thanë se mënyra e vetme për të ndërtuar siguri afatgjate është ricaktimi i plotë i kufijve në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të krijohen shtete me popullsi sa më homogjene. Në këtë mënyrë, njerëzit në tërë rajonin filluan ta kërkojnë sigurinë brenda komuniteteve të tyre etnike.
Lëvizja më e vrullshme ndodhi në Bosnjë e Hercegovinë: Miroslav Dodiku, udhëheqësi serb i Bosnjës, e organizoi shpejt një referendum për pavarësi në Republikën Serbe për shkak të llogaritjeve të mënjëhershme pas shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Vëzhguesi Euro-aziatik për Demokraci dhe Zgjedhje, e cila është një organizatë joqeveritare me bazë në Rusi, u ftua që ta monitorojë referendumin, në të cilin 72 për qind e votuesve e përkrahën shpalljen e pavarësisë. Dodiku e kishte një aleat në këtë përpjekje. Ai ishte Dragan Çoviqi, njëri nga udhëheqësit e kroatëve të Bosnjës, i cili tha se Federata Boshnjake duhet të përbëhet nga dy pjesë në mënyrë që të funksionojë – një pjesë boshnjake dhe një kroate. Çoviqi paralajmëroi se nëse rezultati i referendumit nuk respektohet, kroatët e Bosnjës duhet ta ndjekin shembullin e serbëve të Bosnjës dhe ta organizojnë referendumin e tyre për pavarësi.
Çoviqi dhe Dodiku thanë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përdoret për t’i zgjidhur konfliktet tjera të ngrira në rajon. Ata e fituan shpejt mbështetjen e shumë analistëve rusë, të cilët përdorën disa medie për ta përhapur porosinë që “vullneti i popullit” duhet të jetë kriteri kryesor për zgjidhjen e problemeve në rajonet tjera të kontestuara, siç janë Krimea, Osetia Jugore dhe Abkhazia. Bashkimi Evropian u prek drejtpërdrejt pasi pakica greke në pjesën jugore të Shqipërisë filloi thirrjet për referendum në mënyrë që t’i bashkohen Greqisë. Si kundërpërgjigje, Bashkimi Evropian u detyrua të veprojë në disa frone me qëllim të zgjidhjes së kësaj situate në një rrafsh më të gjerë pasi efektet e këtyre zhvillimeve u vërejtën edhe jashtë Ballkanit. BE-ja u detyrua që ta përqendrojë tërë fuqinë diplomatike për ta ndalur efektin “domino” të marrëveshjes, duke nisur nga mekanizmat koordinues në Ballkan deri te caktimi i përfaqësuesve specialë për Kaukazin dhe bashkëpunimi i shpeshtë me anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ku ndodhi gabimi?
Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës morën një kthesë të befasishme pasi presidenti kosovar, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, filluan ta mbrojnë idenë e “korrigjimit të kufirit” dhe shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë në vjeshtën e vitit 2018. Ideja për shkëmbim territoreve përfshinte dy komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, Preshevën dhe Bujanocin, të cilat do t’i bashkoheshin Kosovës, dhe katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës që do t’i bashkoheshin Serbisë. Vijat e trasha të kësaj ideje, të prezantuara publikisht në Forumin Evropian të Alpbahut në shtator të vitit 2018, filluan të gjejnë hapësirë në arenën ndërkombëtare.
Që nga koha kur e shpalli pavarësinë në vitin 2008, Kosova është përballur me vështirësi në procesin e gjatë të njohjeve. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, pak më shumë se gjysma e vendeve të komunitetit ndërkombëtar e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Natyrisht, pengesa kryesore për njohje të plotë ishte fakti se nuk mund të arrinte marrëveshje me Serbinë. Një proces bisedimesh, i cili zgjati shtatë vjet, i mbikëqyrur nga Bashkimi Evropian dhe i njohur si Dialogu i Brukselit, shënoi përparim në shumë fusha por zgjidhja për çështjen e njohjeve mbeti vështirë e arritshme.
Megjithatë, të dyja palët e kuptuan se zgjidhja e konfliktit ishte një hap i rëndësishëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Të përballur me rritje të presionit të brendshëm dhe ndërkombëtar për ta zgjidhur këtë çështje, presidentët e dy vendeve dolën me një propozim që nga partitë dhe votuesit e tyre do të mund të vlerësohej si një situatë fituese për të dyja palët. Ky propozim ishte shkëmbimi i territoreve./GazetaExpress/
Autori i Analizës:Marko Ceperkovic pjesë e EUISS