Shuhen tre anëtarë të familjes Sope nga Zhuri, veç këtë vit 11 të vdekur në komunikacion

Diel, 24 February 2019 12:45

Tre anëtarë të familjes Sope nga fshati Zhur i Prizrenit kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi gjatë mesditës së djeshme në aksin rrugor Prizren- Zhur. Babai Ramiz Sope, 50 vjeç, bashkë me dy djemtë e tij, Behar Sope, 24 vjeç, dhe Lumbardh Sope, 22 vjeç, u aksidentuan për vdekje me një kamion për pastrimin e borës. Deri më tani, dyshimet e para të prokurorisë thonë se aksidenti është shkaktuar nga vetura e viktimave. Vetëm në shkurt të këtij viti, jetën në komunikacion e kanë humbur katër persona, ndërsa në janar shtatë persona. Për dy muaj, numri i të vdekurve në komunikacion ka shkuar në njëmbëdhjetë persona, raporton Gazeta Express
Janari dhe shkurti i 2019-s kanë filluar në mënyrë të përgjakshme. Përgjatë këtyre dy muajve e kanë humbur jetën 11 persona. Këto detaje i tha policia gjatë ditës së diel për Gazetën Express.

“Në shkurt të vitit 2019, deri tani kanë ndodhur 2 aksidente fatale me 4 persona të vdekur. Bëhet fjalë për rastin e vdekjes së foshnjës ditë më parë në Prishtinë dhe aksidentin e djeshëm në Zhur, ku humbën jetën tre persona”, tha Daut Hoxha nga Zyra për Informim në Policinë e Kosovës për Gazetën Expess.

Për rastin e djeshëm në Zhur ka shkruar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se ky rast është pikëllues për të gjithë, duke i shprehur ngushëllime familjes.

“Humbja e jetës së tre anëtarëve të familjes Sope në aksidentin tragjik është pikëlluese për gjithë qytetarët e Kosovës. Familjes Sope i shprehim ngushëllimet më të thella dhe bashkohemi me dhembjen e saj të madhe”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndërsa, familja Sope ka njoftuar se varrimi i tyre do të bëhet sot. Po ashtu sot në Zhur është edhe ditë zie.

Pikërisht dje, policia ka lëshuar një apel me të cilin kërkonte kujdes nga të gjithë pjesëmarrësit e trafikut.

“Për shkak të vështirësimit të qarkullimit në rrugë, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilentë. Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor. Policia e Kosovës thotë se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi”, u tha në apelin e Policisë.

Përveç aksidenteve me fatalitet në shkurt, jetën në komunikacion e kanë humbur edhe disa persona të tjerë në janar.

Login to post comments