Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka shkaktuar dëme të mëdha Kosovës, me diskutimet e tij për sa i takon ndarjes së këtij vendi.
“Presidenti i ka bërë dëme të mëdha vendit me idetë e tij lidhur me dialogun edhe me avancimet për ndarje të Kosovës, pra diskutimet e tij e kanë sjellë Kosovën ku është sot”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj, pas përfundimit të akademisë përkujtimore për Akademik, Idriz Ajetin, njofton REL.
Kryeministri Haradinaj ka përjashtuar mundësinë që Shtetet e Bashkuara të largojnë prezencën e tyre ushtarake nga Kosova si pasojë e mospranimit të rekomandimit amerikan për heqje të taksës prej 100 për qind në produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
“Amerika është garantuese e sigurisë dhe paqes në gjithë globin. Vendimet që janë folur si kërcënim për Bondsteel-in, janë ndoshta të hershme ose të avancuara për shkak se një vendim i tillë mund të merret, por jo në rrethana ose lidhur me taksën. Ndërsa të gjitha argumentet për të cilat është vendosur taska, agresiviteti i Serbisë në planin e jashtëm, përpjekjet për destabilizim në planin e brendshëm dhe vonesa, pra për njohje që i shkakton dëm Kosovës, ekzistojnë. Taksa mbetet deri në njohje të Kosovës”, ka shtuar Haradinaj.
Kryeministri ka vlerësuar se “nuk është mirë që të vrapohet për t’u treguar proamerikan duke e hequr taksën ndaj Serbisë”, pasi kjo, sipas tij, nuk i ndihmon shumë Kosovës.
Pavarësisht rekomandimit amerikan, kryeministri Ramush Haradinaj është deklaruar vazhdimisht kundër heqjes së taksës prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
Haradinajt iu kërkua heqja e taksës edhe në takimin e përbashkët që kishte me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi me dy zyrtarët e lartë amerikanë, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Evropën, John Erath dhe Drejtori për Çështjet Evropiane Brad Berkley.
Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur disa herë se mospezullimi taksës së vënë në importet e Serbisë dhe Bosnjës përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.