Sava Janjiq: Kosova do të mbetet pa serbë nëse bëhet shkëmbimi i territorit me Serbinë

Premte, 01 Mars 2019 16:13

Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, ka tërhequr vërejtjen se për shkak të disa zgjidhjeve politike që përmenden, duke përmendur idenë e ripërcaktimit të kufirit, mund të ndodhë që populli serb të zhduket nga Kosova.

“Sot ballafaqohemi me tundime posaçërisht të mëdha, meqë disa zgjidhje që kërkohen në planin politik mund të ndodhë që populli ynë të zhduket plotësisht nga këto treva, përkatësisht më shumë se asnjëherë më parë në histori”, ka thënë arkimandriti Sava në intervistën dhënë TV Hram të Kishës Ortodokse Serbe.

Siç është shprehur ai, kur flitet “për ripërcaktim të kufirit në mes të dy popujve, kjo do të thotë se atje ku jeton njëri (popull) tjetri nuk do të jetë, ku jeton tjetri nuk do të jetë i pari”.

Igumeni Sava ka thënë se serbët e shqiptarët “historikisht janë të lidhur në shumë mënyra” dhe se kanë pasur lidhje kristiane në periudhë të hershme, por edhe sot.

“Por sot në ideologjinë që mbisundon në këto treva ka një mosdurim në shkallë të lartë ndaj popullit dhe objekteve të kultit tonë, që shihen si rreziqe për vendosjen e një identiteti të ri, kulturor e politik”, ka thënë ai.

Sipas Sava Janjiqit, ajo me çka ballafaqohen sot populli serb dhe Kisha në Kosovë është diçka specifike dhe “ndoshta shumë më e rrezikshme” se që kishte ndodhur në disa periudha më të hershme historike.

Modifikuar më Premte, 01 Mars 2019 16:20
Login to post comments