Policia e Kosovës po zhvillon sot një operacion në disa rajone të ndryshme të veriut të Kosovës, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj dhe Drenas. Sipas policisë, deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë serbë, por edhe shqiptarë e boshnjakë që shërbenin në Policinë e Kosovës në këto rajone. Të gjithë të arrestuarit janë të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, si kontrabandë mallrash.
Sipas mediave në Kosovë gjatë operacionit janë plagosur edhe 3 policë, 2 në Mitrovicë dhe 1 në Zubin Potok. Nga ana tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, një organizatë joqeveritare që vepron në Prishtinë, bën me dije se numri i të arrestuarve dhe të ndaluarve ka shkuar në 30, kryesisht policë të etnisë serbe, ndërsa ka edhe policë shqiptarë dhe kontrabandistë shqiptarë dhe serbë.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe KFOR. Forca paqeruajtëse në Kosovë e udhëhequr nga NATO, ka reaguar duke thënë se nuk ka ndërmend të ndërhyjë në një aksion të Policisë.
Zëdhënësi Vincenco Graso ka folur për mediat serbe duke u shprehur se aksioni i Policisë po zhvillohet me urdhër të Gjykatës së Prishtinës.
“Operacioni i Policisë po zhvillohet në të gjithë Kosovën, jo vetëm në veri dhe nuk është kundër serbëve, vetëm kundër personave të dyshuar për krim dhe korrupsion”, ka thënë Graso. “Ne tani për tani përcjellim situatën, jemi në kontakt me autoritetet në Prishtinë. E kemi thënë edhe më herët, ne nuk përzihemi në aksionet e Policisë, derisa nuk na kërkohet të intervenojmë”.
Ndërkohë, kjo situatë ka tensionuar Serbinë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se ushtria serbe do të jetë në gatishmëri.