Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, ka konfirmuar ambiciet e Serbisë për ndarjen e Kosovës, duke thënë se “veriu i Kosovës nuk mund të mbetet nën sovranitetin e Prishtinës”. Ai beson se çështja e Kosovës do të zgjidhet në qoftë se bashkësia ndërkombëtare bie dakord se ajo duhet të zgjidhet.
“Është e pamundur të gjendet një zgjidhje adekuate për çështjen e Kosovës, përveç respektimit të situatës në terren – kush çfarë e mban atë, ajo është i saj. Në këtë rast, veriu i Kosovës nuk mund të jetë nën sovranitetin e Prishtinës dhe ky është fundi”, ka thënë Daçiç për mediat serbe.
Ai rikujtoi se për këtë është duke folur prej vitesh, pasi sipas tij, “kjo është zgjidhja e vetme konkrete që nuk shkakton probleme”.
“Nëse bashkësia ndërkombëtare pajtohet rreth asaj se çështja e Kosovës duhet të mbyllet si një problem që gjeneron jo stabilitet të përhershëm, mendoj se kjo çështje do të zgjidhet”, tha Daçiç, por thekson se problemi qëndron te fakti se një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare nuk pajtohen me këtë.
Ai shtoi se “Brukseli, Uashingtoni e Parisi janë të gatshëm të pranojnë marrëveshjen që do ta arrijnë Kosova dhe Serbia, Gjermania është kundër korrigjimit të kufirit dhe fuqishëm insiston në mos ndryshimin e kufijve”.