Pas samitit të Parisit në shtator, Washingtoni mund të jetë ndalesa e radhës për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Mësohet se Shtëpia e Bardhë kërkon arritjen e një pakti gjithëpërfshirës brenda fundit të vitit. Franca dhe Gjermania gjithashtu do të shfrytëzojnë muajt e mbetur për të plotësuar hapësirën e lënë bosh nga ndërmjetësuesit europianë në vitet e kaluara.
Shtetet e Bashkuara pritet të marrë rol aktiv në arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit.
Mediet serbe raportojnë se samiti i parashikuar mes dy delegacioneve në muajin shtator në Paris do të ndiqet nga një takim në Washington.
Këtu nuk përjashtohet edhe prezenca e vetë presidentit, Donald Trump, i cili e kishte paralajmëruar këtë zhvillim në letrat drejtuar dy presidentëve respektivë në dhjetor 2018.
Objektivi i Shtëpisë së Bardhë, sipas burimeve, është zgjidhja e mosdakordësive mes dy fqinjëve ballkanikë brenda këtij fundviti.
Gjatë vizitës së tij dyditore në Beograd këtë javë, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se do të koordinohet me kancelaren gjermane Angela Merkel për të arritur rezultat konkret në bisedimet mes dy palëve.
Mësohet se për Kosovën kërkesa kryesore do të jetë heqja dorë nga tarifat e njëanshme për t’i hapur rrugë dialogut, ndërsa Beogradit do i kërkohet ta njohë pa kushte sovranitetin e fqinjit jugor.
Në të kundërt, Serbia do të rrezikonte të ardhmen e saj integruese në familjen europiane.
Paraprakisht përfaqësues politikë nga të dyja shtetet janë shprehur të gatshëm për kompromis.
Serbia pretendon se pajtimi mund të arrihet në këmbim të territoreve me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa në qeverinë e Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, i mbetet konsekuent idesë që garanton njohjen reciproke të dy shteteve por brenda kufijve ekzistues.