Kryeministri i dorëhequr i Kosovës Ramush Haradinaj është përplasur në distancë me deklarata me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Serbe, gjeneralin Milan Mojsiloviç, pasi ky i fundit tha se Rusia si partner strategjik i Serbisë do të vazhdojë ta përkrahë vendin e tij për çështjen e Kosovës. “Kemi përkrahjen nga zyrtarët e lartë ushtarakë rusë se si të veprojmë lidhur me çështjen e Kosovës. Natyrisht se jemi të interesuar për sigurinë e serbëve jo vetëm në veri të Kosovës, por në gjithë vendin”, tha Mojsiloviç gjatë vizitës zyrtare në Moskë.
Fill pas kësaj deklarate, Haradinaj përmes një postimi në Facebook, i kujtoi gjeneralit serb se edhe Slobodan Millosheviçi mendonte njësoj si ai, por i doli keq. “Komandanti i ri i ushtrisë së vjetër famëkeqe të Serbisë, Milan Mojsiloviq, paska deklaruar se kanë përkrahjen e ushtrisë ruse për sfidat në Kosovë. Ia kujtojmë atij se edhe Millosheviq mendonte njësoj, por i doli keq. Ata duhet t’i ndalin këto provokime,” shkruan Haradinaj.
Gjatë vizitës zyrtare në Moskë, shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe, tha se veprimet e njëanshme të Prishtinës po rrezikojnë sigurinë. Lidhur me këto deklarata ka reaguar edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se “mesazhet dhe kërcënimet nga ana e Serbisë në drejtim të Kosovës janë duke u bërë çdo herë e më të shpeshta”