Nga dita e enjte deri të shtunën pritet që në Kosovë të qëndrojë një delegacion i Bashkimit Evropian për të marrë të dhëna rreth luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën
Delegacioni i BE-së që pritet të vijë këtë javë në Kosovë do të mbledhë të dhëna nga institucionet e Kosovës lidhur me atë se sa është punuar në përmbushjen e kriterit të fundit për heqjen e vizave.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha e cila ka thënë për gazetën “zëri” se vizita do të realizohet nga data 3-5 maj.
Kështu Hoxha ka bërë të ditur se institucionet tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sa i përket kësaj çështjeje, ndërkohë është shprehur e bindur se Kosova do të marrë rezultate pozitive.
Ndërkohë nga ana tjetër, edhe nga Komisioni Evropian kanë pohuar se një mision i nivelit teknik shumë shpejt do të jetë prezent në Kosovë.
Pavarësisht këtij fakti, nga opozita janë shprehur skeptikë nëse do të ketë lajme të mira pas kësaj vizite.
Kjo sipas tyre, pasi nuk është punuar sa duhet drejt përmbushjes së kriterit të fundit për heqje të vizave, luftës ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.
Megjithatë, ish-ministrja e Drejtësisë ka konsideruar se qytetarët do të munden të lëvizin lirshëm brenda këtij viti.