Filozofi dhe publicisti Shkëlzen Maliqi ka thënë se partitë politike duhet të unifikohen rreth një platforme të përbashkët për dialog me Serbinë. Sipas tij, kjo nuk nënkupton që duhet t’i zgjatet mandati Qeverisë "Haradinaj". Në një intervistë për gazetën “Express”, Maliqi konsideron se koha për zgjedhje është viti i ardhshëm atëherë kur të sqarohet çështja e dialogut me Serbinë dhe pasi të nisin aktakuzat e Gjykatës Speciale
Si i shihni platformat e partive politike të bëra së fundmi, fillimisht ajo e Qeverisë "Haradinaj" për finalen e dialogut ku Presidenti Thaçi mandatohet për ta udhëhequr dialogun, pastaj ajo e Veselit për unitet politik rreth temave të mëdha dhe tryeza e fundit e LDK-së për të diskutuar për çështjet që duhen zgjidhur?
Jemi në një moment të rëndësishëm, - nuk po them historik se e kemi tepruar me hiperbolizimet, madje edhe të ngjarjeve dhe zhvillimeve pothuajse ditore -, një moment kur është i domosdoshëm uniteti sa më i gjerë i spektrit politik shqiptar... Konsideroj se është gjë e mirë që liderët dhe subjektet politike të paktën po e reflektojnë situatën dhe nevojën imediate për hartimin e një platforme të përbashkët. Platforma e Qeverisë e fokusuar në përfundimin e dialogut me Serbinë i ka përmbledhur edhe një herë, tani në formë decidive, vijat e kuqe që në dialog nuk mund të kapërcehen. Është e vërtetë që kjo platformë ia konfirmon mandatin Presidentit Hashim Thaçi që të udhëheqë dialogun, por si asnjëherë më parë ai nuk do të ketë lirinë e bërjes së kompromiseve që shkojnë përtej vijave të kuqe. Po kështu, me të sigurohet që fjalën e fundit për ratifikimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe obliguese e ka Kuvendi i Kosovës. Në po këtë frymë unë e shoh edhe Platformën e Kadri Veselit i cili fton, në mënyrë pak më pragmatike, për arritjen e unitetit rreth temave të mëdha, pra duke mos e komplikuar platformën me çështje dytësore ku ka mospajtime të mëdha dhe të papërballueshme, si p.sh. çështja se kush duhet ta udhëheqë dialogun. Në këtë aspekt mendoj se Platforma e Veselit është e përputhshme me atë të Qeverisë, pasi që në të shkoqiten vijat e kuqe ku koncesioni më i madh që u ofrohet serbëve të Kosovës është krijimi i Asociacionit të komunave ku ata janë shumicë si instrument shtesë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre në Kosovë, por pa organe dhe ingerenca ekzekutive, apo të ndonjë formë të autonomisë funksionale, ndërkaq e obligon ekipin që do të dialogojë me Serbinë që Kosovës t’ia sigurojë anëtarësimin në OKB, çka nënkupton njohjen universale të shtetit tonë.
A besoni se në këto platforma ka zgjidhje ose çka mund të prodhojnë?
Në esencë dhe me përmbajtje këto platforma janë minimaliste në shprehje, por maksimaliste në kërkesa. Megjithatë, ky maksimalizëm i Kosovës nuk shkon përtej arsyeve pse 115 shtete, ose aq sa janë afër kësaj shifre, e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, dhe këtu është sidomos me rëndësi që e kanë njohur 3 anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, që sot edhe gjithë ditën thonë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, sikundër që edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës më 2010 e dha verdiktin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Opinioni ynë shpesh me naivitet impresionohet me “vendosmërinë” e Serbisë që mos ta njohë pavarësinë e Kosovës (e mbështetur nga vetoja e Rusisë në KS), por objektivisht i gjithë presioni për normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëveshjen gjithëpërfshirëse shkon mbi Serbinë dhe jo, siç e keqinterpretojnë disa, që Kosova në çfarëdo forme t’i nënshtrohet sërish Serbisë.
Pas formimit të Qeverisë "Haradinaj", LDK-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që vendi të shkojë në zgjedhje. Kjo Qeveri do ta çojë mandatin deri në fund apo do të ketë zgjedhje të parakohshme?
Sa i përket LDK-së nuk e kam parë në detaje platformën e tyre, por debatet që po zhvillohen në këtë parti po më bindin se edhe ata e vlerësojnë ndjeshmërinë e momentit, pasi që faktorët ndërkombëtarë kushtëzojnë që dialogu të kryhet deri në fund të këtij viti, ose deri nga mesi i vitit të ardhshëm, dhe pjesa racionale e drejtuesve të LDK-së po tregohet e kujdesshme që të mos shkohet në rrëzimin e qeverisë e as në zgjedhjet e parakohshme gjatë këtij viti pa u siguruar se epilogu i dialogut do të jetë ai që supozohet. Të paktën, nëse dialogu shkon drejtë dështimit, mos të jetë problem mosuniteti i politikës sonë rreth çështjeve madhore, por le të tërhiqet Serbia, siç kërcënohet ngandonjëherë, në dëm të vetin, siç edhe ka bërë më parë në Rambuje dhe me Pakon e Ahtisarit. Platforma e përbashkët nuk do të thotë sigurim të mandatit Qeverisë së Haradinajt për katër vite. Mendoj se vitin tjetër gjithsesi do të duhej të shkohet në zgjedhje pasi që të sqarohemi me dialogun, dhe po kështu të bëhet funksionale Gjykata Speciale. Spektrit politik, por edhe elektoratit i duhet edhe pak kohë që të reflektojë katër vitet e fundit të bllokadave dhe vendnumërimit të vendit, si dhe të vlerësojë më qartë çka ka ndodhur me shpresën që e pat ngjallur Vetëvendosja, tani e ndarë në dy subjekte.
Si e shihni gjithë këtë proces, pra funksionimin e Qeverisë dhe rolin opozitës?
Njëra prej masave që do të duhet të siguronte platformën e unitetit është edhe garantimi për një periudhë të caktuar që edhe Qeveria pakicë e Haradinajt të mos trazohet dhe rrëzohet vetëm sa për të treguar muskujt. Kuptohet, po të kishte vullnet për një unitet më përfshirës, do të mundë të krijohet edhe Qeveria e përkohshme e Unitetit, e udhëhequr nga disa personalitete jopartiake me përkrahje konsensuale. Do të mund të quhej edhe Qeveri teknike. Por, është vështirë që për këtë të binden kokat e mëdha, sepse do të duhej që ata të tërhiqeshin vullnetarisht, çka do ta kuptonin si humbje dhe eliminim. Varianti i përkrahjes së Qeverisë pakicë të Haradinajt, i cili pajtohet që dialogun ta udhëheqë Thaçi, e ku pajtohet që t’i japë llogari Kuvendit, krijon një hark pozitiv të koordinimit të domosdoshëm. Opozita, Lëvizja Vetëvendosje, GDP dhe ndonjë subjekt tjetër i vogël dhe kryeneç, mund të mbajnë rolin e atyre që dyshojnë në procesin dhe të kritikojnë dhe kontrollojnë Qeverinë, por jo që të pengojnë me dhunë, gaz lotsjellës etj., vendimmarrjet e domosdoshme që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse.