Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se çdo punëtor në Kosovë sot vlerësohet më shumë se në të kaluarën dhe se pagat e tyre janë pothuajse në nivel të barabartë me vendet e rajonit.
Thaçi i bëri këto komente në Facebook, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Ai po ashtu tha se Kosova ka hartuar ligje moderne që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, porse kërkohet një zbatim dhe monitorim më i mirë i tyre.
“Varësisht prej vendeve dhe kulturave të tyre, ka pikëpamje të ndryshme për 1 Majin, por kjo ditë gjithmonë është festuar te ne. Duke ua uruar të gjithëve festën, unë ndaj shqetësimin me të gjithë punëtorët, si të sektorit publik, ashtu edhe të atij privat, si dhe u bashkohem kërkesave të tyre për kushte më të mira të punës dhe të drejta më shumë për punëtorët“, tha Thaçi. /REL