Në vitin 2017 janë krijuar 13.5 miliardë lekë (104 milionë euro) detyrime të reja të papaguara të shtetit ndaj bizneseve. Në total, përfshirë edhe detyrimet ekzistuese deri në fund të vitit 2016, shuma që shteti duhet të kthejë te palët e papaguara arrin në 26.7 miliardë lekë, apo rreth 205 milionë euro.
Shifrat janë bërë të ditura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ky i fundit ka ngulur vazhdimisht këmbë që qeveria të ishte e kujdesshme dhe të mos krijonte detyrime të reja ndaj biznesit, gjë që në fakt nuk ka ndodhur, përkundrazi detyrimi u dyfishua në një vit.
Deri në fund të vitit 2016, 71% e totalit të detyrimeve e kishte qeveria lokale (borxhet e bashkive), me 9.4 miliardë lekë, nga 13.1 miliardë lekë që ishte totali i stokut të detyrimeve. Sipas shifrave të FMN-së, në 2017-n, detyrimet e bashkive eu ulën me 184 milionë lekë, ndërsa ka qenë qeveria qendrore ajo që ka krijuar detyrimin më të madh. Detyrimi i qeverisë qendrore pothuajse është pesëfishuar, nga 3.7 miliardë lekë në 17.4 miliardë lekë.
Rritja e detyrimit të qeverisë qendrore ka ardhur si rrjedhojë e mosrimbursimit të TVSH-së, i cili është dhjetëfishuar nga 1.9 miliardë lekë në 11.7 miliardë lekë.
Në total, në fund të vitit 2017, nga 26.7 miliardë lekë që është detyrimi total që duhet shlyer, 65% i takon qeverisë qendrore, 35% asaj lokale. Vetëm rimbursimi i TVSH-së zë 35% të detyrimeve totale.
FMN thekson se adresimi i dobësive në kontrollet buxhetore dhe të angazhimeve për të paguar, sistemi i Thesarit dhe menaxhimi i parasë së gatshme janë vendimtare për të parandaluar krijimin e borxheve të reja dhe përshpejtimin e pastrimit të stokut aktual. Duke qenë se borxhi paraqet deficite fiskale të paregjistruara, është e rëndësishme që të forcohet regjistrimi i angazhimeve buxhetore dhe regjistrimi i faturave të papaguara. Në fund të vitit 2017, totali i borxheve të papaguara ishte 1.7 përqind e PBB-së, nga të cilat pagesat e prapambetura të TVSH-së përbënin 0.7 përqind të PBB-së. Rreth 80 përqind e totalit të borxheve të TVSH-së lidhet me tre tatimpagues të mëdhenj, thekson FMN.