Shefi ekzekutiv i kompanisë bankare të investimeve Morgan Stanley, James Gorman, i ka cilësuar si jorealiste parashikimet e George Soros për një krizë tjetër financiare globale, duke thënë se Rezerva Federale ndoshta do të rritë normat e interesit edhe tri herë të tjera në 2018, pavarësisht lëkundjeve të fundit.
“Sinqerisht, mendoj se është qesharake”, tha Gorman të enjten në Pekin, në një intervistë me televizionin Bloomberg, kur u pyet për komentet e Sorosit këtë javë, të cilat përfshinin paralajmërimin për rrezikun e shpërbërjes së Bashkimit Evropian në mes të sfidave të Italisë. “Nuk mendoj aspak se përballemi me një kërcënim ekzistencial”, tha Gorman për BE.
Gorman shtoi se sfidat e Italisë janë pjesë e një modeli më të gjerë politik që është parë në të gjithë botën, përfshirë Britaninë, e cila dy vjet më parë votoi për daljen nga Bashkimi Evropian. Ka një “ndjesi se performanca mesatare e ekonomisë është më e mirë se performanca individuale e qytetarëve” në çdo vend, tha ai. Megjithatë, “nuk mendoj se Eurozona është në rrezik”.
Pavarësisht “rritjes pozitive të sinkronizuar globale” gjatë dy viteve të fundit, “kemi pasur këto shpërthime politike”, përfshirë votimin për Brexit, bisedime torturuese për koalicionin në Gjermani dhe tensionet e fundit në Itali e Spanjë, tha Gorman. “Është një thuajse kompeticion midis rritjes së pandalshme të korporatave, përmirësimit të fitimeve e fuqisë ekonomike kundër jostabilitetit politik dhe rritjes së populizmit”.