Shtetet e Bashkuara vendosën të hënën sanksione ndaj pesë subjekteve dhe tre individëve rusë, duke i akuzuar ata për aktivitet keqdashës kibernetik, me synimin për t’i dhënë materiale dhe mbështetje teknologjike shërbimit sekret të Moskës.
Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha se subjektet dhe individët ndaj të cilëve janë vendosur sanksione, “kanë kontriubuar drejtpërdrejt tek kapacitetet kibernetike të Rusisë, përmes shërbimit federal rus të sigurisë, duke rrezikuar sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve tanë”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara “janë të përkushtuara për të vënë në shënjestër në mënyrë agresive çdo subjekt, apo individ që punon me shërbimin rus të zbulimit, që përbën kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojnë të shfrytëzojnë autoritetin e sanksioneve amerikane…për t’iu kundërvënë kërcënimeve të vazhdueshme që burojnë nga Rusia”.