Fotot satelitore tregojnë se Rusia mund të ketë rinovuar bunkerin e magazinimit të armëve bërthamore në enklavën e Kaliningradit, shenja më e fundit kjo se Moska e ka marrë seriozisht ngërçin me NATO-n.
Pamjet e publikuara nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë janë kthyer në burim të ri shqetësimi për vëzhguesit ushtarakë perëndimorë, në lidhje me kapacitetet e shtetit rus në rajon. Ekspertët i kanë shqyrtuar imazhet me kujdes, e kanë dalë në përfundimin se, me shumë gjasë puna për rikonstruktimin e bunkerit atomik, të ndodhur 50 km larg kufirit me Poloninë, mund të ketë nisur që në vitin 2016.
“Me sa di unë, – citon “The Guardian” specialistin e armëve nukleare, Hans Kristensen, – ai është vendi i vetëm i magazinimit të arsenalit bërthamor në zonën e Kaliningradit”.
“Punimet e bëra atje, – shton ai, – ngrenë padyshim pyetjen se, cili është statusi operacional i këtij bunkeri”.
Rinovimi do të thotë se bunkeri mund të furnizohet me raketa me mbushje atomike brenda një kohe të shkurtër.
Vet pozicioni i tij në Kaliningrad e bën mjaft problematik për planifikuesit ushtarakë të NATO-s, sepse, edhe nëse në rast konflikti do të përdoreshin armë me rreze të shkurtër veprimi, ato sërish do të rrezikonin qytete të rëndësishme anëtare të aleancës, si Berlini e Varshava.