Drejtuesi koreano-verior, Kim Jong Un filloi sot një vizitë dyditore në Kinë, një javë pas takimit historik me presidentin amerikan, Donald Trump, në një kohë kur Pekini po synon të luajë një rol në zhvillimin e fqinjit të tij.
“Kim Jong Un viziton Kinën më 19-20 qershor”, njoftoi agjencia zyrtare kineze e lajmeve Hsinhua, në një lajm të shkurtër që nuk jep asnjë detaj për programin e tij.
Dhjetëra automjete, makina policie dhe automjete të blinduara ishin stacionuar sot pranë rezidencës shtetërore të Diaoyutais, në qendër të Pekinit.
Bëhet fjalë për vizitën e tretë në Kinë të drejtuesit koreano-verior në të paktën tre muaj.
Në fund të marsit, ai zhvilloi në kryeqytetin kinez vizitën e parë jashtë vendit që prej ardhjes në pushtet në fund të vitit 2011, para një udhëtimi të dytë në qytetin e Dalianit, në verilindje të Kinës.