Moska nuk i njeh kompetencat e reja që i ka dhënë komuniteti ndërkombëtar, vëzhguesit të armëve kimike, për të identifikuar kush është përgjegjës për sulmet joligjore me këto armë, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov.
“Moska nuk e njeh legjitimitetin e mekanizmit të ri”, i cili është krijuar brenda Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, më 27 qershor, ka thënë Ryabkov në disa komente të transmetuara nga agjenci ruse të lajmeve më 28 qershor.
Në një mbledhje speciale të grupit vëzhgues në Hagë më 27 qershor, me shumicë votash është miratuar propozimi britanik për të fuqizuar mandatin e organizatës, me qëllim të identifikimit të personave që qëndrojnë mbrapa sulmeve në Siri, Britani dhe vende tjera.
Ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson ka mirëpritur miratimin e propozimit, duke thënë se kompetencat shtesë janë të nevojshme jo vetëm për të identifikuar përdorimin e armëve kimike, por edhe për të drejtuar gishtin te fajtorët.
Rusia dhe aleatët te saj në anën tjetër, Siria dhe Irani, kanë thënë se kompetencat e reja të organizatës, shkojnë përtej mandatit të saj ligjor.
Ambasadori rus në Holandë, Aleksandr Shulgin, ka paralajmëruar se zgjerimi i fuqive në këtë organizatë do të rezultojë dhe “fundosje si Titaniku”.
Shulgin ka thënë se ka mundësi që Moska të tërhiqet nga trupi në fjalë.