Kandidati i majtë, Andrés Manuel López Obrador, i njohur edhe me incialet AMLO, po i drejtohet një fitoreje të pastër dhe bindëse në zgjedhjet presidenciale.
Zyrtarë të zgjedhjeve thanë se rezultatet paraprake e të pjesshme tregojnë se Obrador ka marrë 53% të votave, dy herë më shumë sesa rivali i tij më i afërt.
Fitorja e ish-kryebashkiakut të Mexico Cityt duket se është vulosur nga dy rivalët e tij, nga partitë e mëdha në vend, që pranuan humbjen dhe i uruan Obradorit presidencë të mbarë.
Pas zgjedhjeve dhe në pritje të rezultatit përfundimtar, që tashmë duket i qartë, Obrador përsëriti premtimet e fushatës dhe tha se lufta ndaj korrupsionit dhe fundi i kulturës së pandëshkueshmërisë do të jenë prioritetet e administratës së tij.
Ai tha gjithashtu se do të kërkojë miqësi dhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, nga ku presidenti Trump e uroi për fitoren.
Obrador i dha fund sundimit prej dekadash të dy partive tradicionale “PRI” dhe “PAN”, të cilat ai vet i cilësoi pjesë të së njëjtës mafieje të pushtetit.
Zgjedhjet treguan gjithashtu se meksikanët ishin tej mase të pakënaqur me administratën e presidentit në largim, Enrique Pena Nieto, si dhe me të gjithë elitën politike, duke votuar për ndryshimin radikal që premton 64-vjeçari AMLO.