Ta mbrojmë Evropën, por nga çfarë? Në fillim të Presidencës austriake të BE-së kancelari Kurz skicoi programin e tij politik. Temat kryesore: politika e azilit dhe sigurimi i kufijve të jashtëm të BE-së.
Si do të reagojë Austria për marrëveshjen mes CDU dhe CSU-së mbrëmë? "Nëse Gjermania vendos masa kombëtare, atëherë ne dhe të tjerët duhet të reagojmë ndaj tyre", tha në mënyrë lapidare kancelari Sebastian Kurz. Ai tha se pret një "linjë të qartë qeveritare në Berlin".
Austria kishte njoftuar që dje mbylljen e kufijve të saj si një reagim ndaj masave të mundshme gjermane. Kurz tha se për këtë temë do të japë më shumë sqarime më vonë nga Viena, si kryeministër, sepse në Parlamentin Evropian ka ardhur për të prezantuar zyrtarisht temat e Presidencës austriake.
Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, deklaroi nga ana tjetër se ai ka ngarkuar shërbimin ligjor të BE-së me shqyrtimin e masave gjermane, por se "në shikim të parë" e konsideron marrëveshjen e Berlinit në përputhje me ligjin evropian.
Mbrojtje dhe zgjerim drejt Ballkanit
Sebastian Kurz u shpreh se Austria ka qenë gjithmonë pro-evropiane dhe e përkrah projektin Evropë. Motoja e tij është "Një Evropë që mbron". Me këtë ai e ka fjalën për mbrojtjen e popullsisë prej refugjatëve dhe emigracionit ilegal. Kurz thotë se synon një mbrojtje më të mirë të kufijve të jashtëm, sepse kufijtë e brendshëm dëshiron t'i mbajë të hapur.
Ai përshëndeti sinjalin për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë dhe Shqipërinë dhe kërkoi që të gjitha vendet e Ballkanit të bëhen sa më shpejt anëtare të BE-së. Në këtë pikë ai është në kundërshtim të plotë më presidentin francez që është kundër zgjerimit të shpejtë.
Mbështetje dhe kritika
Ndërsa spektri i djathtë dhe ai konservator i Parlamentit Europian e inkurajojnë Sebastian Kurzin dhe bëjnë thirrje për një veprim edhe më të shpejtë dhe madje edhe masa më të rrepta sa i përket migracionit, Liberalët, socialdemokratët dhe të Majtët e shohin të ardhmen e BE-së në rrezik: "A po përjetojmë një orbanizim të Evropës?" pyet deputeti i SPD-së, Udo Bullmann dhe duke ju referuar zhvillimeve në Berlin thotë se e gjithë kjo "nuk ka të bëjë më me arsyen".