Bashkëpunimi më i fortë rajonal si dhe integrimi europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jenë edhe fokusi i Samitit të Londrës që do të mbahet më 10 korrik 2018.
Kryeministrja, Theresa May do të presë në Londër krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke demonstruar angazhimin e vjetër të Britanisë së Madhe për rajonin dhe sigurinë europiane, në një kohë kur qeveria britanike pritet të braktisë unionin.
Krahas liderëve të Ballkanit Perëndimor, gjatë samitit pritet të jenë të pranishëm edhe liderët e Austrisë, Kroacisë, Gjermanisë, Francës, Italisë, Polonisë, Bullgarisë, Sllovenisë.
Ky është samiti i pestë që zhvillohen në kuadër të Procesit të Berlinit. Ky i fundit është një iniciative diplomatike që Kancelarja Merkel lançoi në vitin 2014. Çdo vit, ajo bashkon 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerët e BE dhe përfaqësuesit e institucioneve të BE për të punuar së bashku në mbështetje të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.
Tre janë synimet kryesore ku do të fokusohen krerët e vendeve referuar faqes zyrtare të qeverisë së Britanisë së Madhe:
Rritjen e stabilitetit ekonomik me qëllim përmirësimin e mjedisit të biznesit, inkurajimin e sipërmarrjes, adresimin e papunësisë së të rinjve dhe promovimin e ndërlidhjes rajonale
Forcimi i bashkëpunimit rajonal të sigurisë për të ndihmuar në trajtimin e kërcënimeve të përbashkëta, duke përfshirë korrupsionin, krimin e rëndë dhe të organizuar, trafikimin e njerëzve, drogës dhe armëve të zjarrit, terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm
Lehtësimin e bashkëpunimit politik, për të ndihmuar rajonin të zgjidhë mosmarrëveshjet dypalëshe dhe të kapërcejë çështjet e trashëgimisë që rrjedhin nga konfliktet e viteve 1990 dhe për të forcuar demokracinë dhe barazinë gjinore