Krerët e partive CDU, CSU dhe SPD arritën çuditërisht shpejt konsensus për paketën e azilit në komitetin e koalicionit
Pas javësh lufte për pushtet mes CDU/CSU dhe mosmarrëveshjeve në koalicion, CDU, CSU dhe SPD ranë dakord për një paketë kundër migracionit të paligjshëm, për ashpërsimin e politikës së azilit dhe masa më të forta kundër migracionit të paligjshëm në kufirin gjermano-austriak. Ministri i Brendshëm federal Horst Seehofer u shpreh shumë i kënaqur me kompromisin e azilit të arritur nga koalicioni i madh. "Kjo është gjithçka nga A në Z siç e dua unë si ministri përgjegjës", tha politikani i CSU-së.
Kryetarja e SPD-së Andrea Nahles dhe nënkancelari Olaf Scholz, thanë pas një takimi të komitetit të koalicionit në Berlin se ata kishin rënë dakord që procedurat e azilit të përshpejtohen. Përveç kësaj kabineti do të miratojë brenda këtij viti një ligj për imigracionin.
Ky i fundit ishte një kërkesë qendrore e SPD-së. SPD-ja kishte kërkuar si këmbim për të miratuar paketën kundër migracionit të paligjshëm përgatitjen sa më të shpejtë të një ligji për imigrimin për të plotësuar nevojat e Gjermanisë me fuqi punëtore të specializuar.
"Jo tela me gjemba"
Këto "qendra transferimi" do të jenë pjesë e stacionet ekzistuese policore. "Nuk do të ketë tela me gjemba ose gjëra të ngjashme," tha shefi i CSU. Çdo ditë në to mund të mbahen dy deri në pesë refugjatë, që vijë ilegalisht në Gjermani. Pas 48 orësh ata do të lihen përsëri në "liri të plotë", thjesht nuk do të lejohen të hyjnë në Gjermani. Nuk është fjala për "kampe masive", siç pretendohet pjesërisht, tha Ministri i Brendshëm federal Horst Seehofer.
Me sa duket pra kompromisi i azilit mund të prekë në fund të fundit shumë më pak migrantë nga sa qe planifikuar fillimisht, kur u tha se të prekur do të jenë të gjithë migrantët që kapen në kufi dhe që u janë janë marrë diku tjetër më parë shenjat e gishtërinjve dhe janë regjistruar.
Megjithatë ministri Seehofer nuk do ta ketë të lehtë me dëbimet, sepse Austria refuzon t'i lërë të kalojnë nëpër territorin e saj refugjatët e refuzuar në Gjermani në rast se një shtet tjetër i BE-së ku ata janë regjistruar fillimisht refuzon t'i pranojë.
Edhe Italia refuzon t'i pranojë refugjatët që kanë hyrë fillimisht në Itali dhe janë zhvendosur më tej për në Gjermani.