Turqia ka nxjerrë një dekret për pushimin nga puna të më tepër se 18 mijë punonjësve civilë.
Rreth gjysma e personave të përfshirë në listën e publikuar sot, janë oficerë police.
Më tepër se 5 mijë vetë janë personel ushtarak, të cilët po ashtu ishin përfshirë në dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme, si dhe 199 akademikë. Me dekretin e ri, po ashtu mbyllen tre gazeta dhe një stacion televiziv.
Turqia ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme që nga korriku i vitit 2016, kur pati një tentativë për grusht shteti për rrëzimin e Presidentit Recep Tayip Erdogan. Qeveria turke fajësoi për këtë klerikun me banim në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gullen.
Para njoftimit të së dielës, që nga viti 2016, në Turqi janë pushuar nga puna me dekrete emergjente, më tepër se 100 mijë njerëz.
Analistët politikë presin që gjendja e jashtëzakonshme të hiqet këtë muaj.
Si rezultat i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 24 qershorit, Turqia tani ka një presidencë të fuqishme. Roli i kryeministrit merr fund dhe ministrat do t’i raportojnë drejtpërdrejt presidentit.
Gjatë fushatës për rizgjedhjen e tij, Erdogan tha se do t’i jepte fund gjendjes së jashtëzakonshme.
Sistemi i ri presidencial hyn në fuqi të hënën, kur zoti Erdogan të bëjë betimin si president. Atëhere ai do të lejohet t’i nxjerrë dekretet vetë, me forcën e ligjit.
Kritikët thonë se gjendja e jashtëzakonshme është shfrytëzuar nga qeveria turke për frikësimin e kundërshtarëve politikë, një akuzë të cilën ajo e mohon.
Fundi i gjendjes së jashtëzakonshme, shihet si një mundësi për fuqizimin e përpjekjeve të Ankarasë për riparimin e marrëdhënieve me Bashkimin Europian. BE-ja e ka kritikuar me forcë Turqinë për masat shtypëse ndaj popullsisë dhe ka bërë thirrje vazhdimisht që t’i jepet fund atyre.
Erdogan pritet të takohet me udhëheqësit europianë gjatë javës, kur ai të marrë pjesë në takimin e NATO-s në Bruksel.