Sekretari Shtetit Mike Pompeo i bëri të dielën thirrje Koresë së Veriut të ndjekë shembullin e Vietnamit, duek krijuar një marrëdhënie të re me Shtetet e Bashkuara, sikurse bëri Hanoi pesë dekada më parë, pas përfundimit të Luftës së Vietnamit.
Kryediplomati amerikan vizitoi të dielën Vietnamin, pas dy ditë bisedimesh me udhëheqës koreanoveriorë për çarmatosjen bërthamore të Phenianit. Ai tha se marrëdhëniet e normalizuara 23-vjeçare mes Shteteve të Bashkuara dhe Vietnamit duhet të shërbejnë si një provë për udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un, se SHBA kanë aftësinë për të krijuar marrëdhënie të reja me një vend që dikur kanë patur marrëdhënie armiqësore.
Zoti Pompeo nuk i kushtoi rëndësi akuzave të Koresë së Veriut, se Shtetet e Bashkuara kishin ofruar “kërkesa prej gangsterësh”, që Pheniani t’i japë fund programit bërthamor dhe se mënyra se si u zhvilluan bisedimet mes të dy vendeve ishte “për të ardhur keq”.
"Në se këto kërkesa janë prej gangsterësh, atëhere bota qenka një gangstere”, tha Sekretari i Shtetit Pompeo, ndërsa përmendi faktin se Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka kërkuar shumë herë që Pheniani të heqë dorë nga armtë bërthamore dhe t’i japë fund porgramti të raketave balistike.
Ai përsëriti premtimin e Presidentit Donald Trump për fuqizimin e ekonomisë së Koresë së Veriut, pasi të marrë garanci për nga zoti Kim se po i jep fund armëve bërthamore.
Sanksionet ndaj Phenianit do të vazhdojnë
Para vizitës së tij në Vietnam, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se sanksionet ndaj Koresë së Veriut do të vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi, deri në përfundimin e çarmatimit bërthamor, plotësisht të verifikueshëm, siç është rënë dakord me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un.
Zoti Pompeo foli të dielën në një konferencë shtypi në Tokjo me homologët nga Koreja e Jugut dhe Japonia.
“Çarmatimi bërthamor është një përkufizim i gjërë dhe koreano-veriorët e kuptojnë dhe nuk e kanë kundërshtuar. Së dyti, ata e kuptojnë se çarmatimi bërthamor nuk ka kuptim pa verifikim, edhe kjo pranohet. Do të ketë një verifikim që lidhet me çarmatimin e plotë bërthamor. Për këtë kanë rënë dakord Presidenti Trump dhe kryetari Kim.”
Shefi i diplomacisë amerikane i cilësoi si produktive bisedimet me zyrtarët e lartë të Koresë së Veriut.
Agjencia zyrtare e lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA, i përshkroi bisedimet si “jashtëzakonisht shqetësuese”, ndërsa citoi një zyrtar të ministrisë së jashtme, të paidentifikuar, të ketë thënë se “mënyra më e shpejtë” për të patur një Gadishull Korean pa armë bërthamore do të ishte përmes një qasjeje me faza, nga të dyja palët.
Zoti Pompeo tha se diplomatët koreano-veriorë nuk patën kundërshtime në diskutimet që ai zhvilloi me ta në Phenian. Ai tha se shpreson që do të ecet përpara në negociatat me Korenë e Veriut.
Kryediplomati amerikan tha se një pjesë e madhe e diskutimeve ishte rreth afatit kohor për çarmatimin e Koresë së Veriut dhe fillimi i deklarimit të armëve të shkatërrimit në masë.
Zoti Pompeo nuk dha detaje, por tha se kishin shpenzuar një kohë të mirë për trajtimin e këtyre dy çështjeve dhe se besonte që ishin bërë përparime në çdo elemtent të diskutimeve.
Presidenti Trump e ka ngarkuar zotin Pompeo që të mbikëqyrë realizimin e premtimeve që kryetari Kim bëri në takimin e Singaporit për çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean.