Policia britanike ka hapur hetimet për vrasje, pasi vdekjes së një gruaje që u helmua me të njëjtin agjent nervor që kishte helmuar në muajin mars një ish spiun rus.
Dawn Sturgess, 44 vjeçare, vdiq në spitalin e Salisburyt, në Anglinë jugore.
Ajo u sëmur më 30 qershor së bashku me Charles Rowleyn i cili është shtruar në spital në gjendje të rëndë.
Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se është "e tronditur dhe e tmerruar" nga lajmi i vdekjes së Sturges.
Policia tha se të dy personat ishin helmuar me "novichok", e njëjta substancë që helmoi ish spiunin rus, Sergei Skripal dhe vajzën e tij Julia në muajin mars. Të dy ata mbijetuan.
Britania kishte fajësuar Rusinë për helmimin e Skripalëve, akuza që u hodhën poshtë nga Moska.
Policia dyshon se Sturgess dhe Rowley kishin prekur shishen që përmbante helmin dhe po përpiqen të gjejnë saktësisht se çfarë kanë gjetur dhe ku.
Sekretari i Brendshëm britanik, Sajid Javid, vizitoi rajonin e Salisburyt të shtunën dhe i siguroi banorët se gjasat për t'u helmuar nga agjent nervor, janë të pakta.