Ministria e Jashtme ruse deklaroi këtë të mërkurë se Rusia do t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë Greqisë, pasi kjo e fundit pritet të dëbojë dy diplomatë rusë.
Ishte e përditshmja Kathimerini që raportoi po gjatë kësaj të mërkure se Greqia do të dëbonte dy diplomatë rusë dhe do të ndalonte për t’u futur në këtë shtet edhe të dy të tjerë, ‘për veprimtari që nuk janë në përputhje me statusin e tyre’. Deri më tani nuk ka ende një reagim zyrtar nga autoritetet greke.
Gjithnjë sipas Kathimerini-t, lëvizja vjen pas dyshimeve se diplomatët rusë kanë tentuar që të minojnë marrëveshjen për ndryshimin e emrit me Maqedoninë, e arritur mes palëve muajin e shkuar duke i dhënë fund një konflikti diplomatik disa vjeçar.