Presidenti Donald Trump ndodhet në një vizitë 3 ditore në Britaninë e Madhe. Gjatë një konference për shtyp me kryeministren Theresa May, Trump tha se marrëdhënia SHBA-Mbretërinë e Bashkuar është "e domosdoshme".
Komenti i presidentit amerikan erdhi vetëm disa orë pasi komentet e tij kundër planit të Brexit të Theresa May u shfaqën.
Duke folur pas bisedimeve me kryeministren, Trump tha se çfarëdo që Britania e Madhe të bëjë pasi të dalë nga BE është në rregull për të dhe Brexit ishte një mundësi e pabesueshme.
"Nuk e di se çfarë do të bëjë Britania e Madhe por çdo gjë është në rregull për mua,"-tha ai, duke shtuar: "Ky është vendimi juaj. Vetëm sigurohuni që mund të vazhdojnë marrëdhënien tregtare bashkë, kjo ka rëndësi."
Në një intervistë më parë për The Sun, Trump u shpreh se plani Brexit me shumë mundësi do të vrasë marrëveshjen e tregtisë amerikane dhe se May e kishte injoruar këshillën e tij mbi Brexit.
Por Trump e konsideroi artikullin 'lajm të rremë'. Ai tha se historia ishte "në përgjithësi mirë", por nuk përfshinte "gjërat e jashtëzakonshme" që tha për Theresa May.
Presidenti amerikan u shpreh: "Nuk e kam kritikuar kryeministrin, kam shumë respekt për të. Besoj se pasi të flas me popullin e kryeministres dhe me ekspertët e tregtisë, një marrëveshje do të jetë e mundur të arrihet."
Ndërsa kryeministrja britanike u shpreh se për Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ketë asnjë problem për vendosjen e marrëdhënieve tregtare pas Brexit.
"Ne do të bëjmë një marrëveshje tregtare me SHBA dhe të tjerë në mbarë botën,"-tha ajo.
Ndërkohë në Londër po zhvillohen protesta kundë mbërritjes së Trump në Britani.