Në 1 gusht në Bavari u hapën shtatë qendra të transferimit të migrantëve. Atje në të ardhmen synohet të bashkohen procedurat e azilit dhe të përshpejtohet procesi. Por projekti shoqërohet nga shumë kritika.
Procedura të përshpejtuara azili, të gjitha nën një çati të madhe. Kjo është e thënë në mënyrë të thjeshtëzuar ideja e të ashtuquajturave qendra të transferimit të migrantëve, të njohura edhe si qendra "Anker". Deri 1500 refugjatë do të strehohen në një qendër të tillë. Dhe do të qendrojnë atje, sa të mësojnë se ç'do të ndodhë më tej me ta.
Po të jepet përgjigje pozitive për kërkesën për azil, azilkërkuesi do të dërgohet si deri tani në ndonjë komunë. Por kur kërkesa për azil refuzohet, dëbimi do të bëhet drejtpërdrejt nga qendra e transferimit të migrantëve. Në secilën nga shtatë qendrat në Bavari, të cilat janë hapur që prej një gushtit, do të ketë edhe përfaqësi të Zyrës së Të Huajve të Landit, të Zyrës Federale të Migrimit dhe të Refugjatëve (BAMF), të Agjencisë Federale të Punës dhe të Gjykatave Administrative, u shpreh para shtypit ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann (CSU).
Faza e testimit për qendrat Anker (koncepti përbëhet nga gërmat e para të fjalëve Ankunft (= mbërritje), Entscheidung (= vendim) dhe Rückführung (= riatdhesim) do të zgjasë rreth një gjysmë viti, pastaj do të bëhen vlerësimet e para për ecurinë. Vetëm pas kësaj është e detyruar qeveria gjermane që të krijojë një bazë ligjore dhe do të kishte nevojë për këtë mbështetjen e landeve.
A i përgjigjen këto qendra premtimit?
Një synim i deklaruar i qendrave të transferimit të migrantëve është përshpejtimi i vendimeve për azilin. Por nëse kjo do të funksionojë në praktikë, për këtë Werner Schiffauer dyshon. Ai është Kryetar i Kryesisë së Këshillit të Migrimit.
"Në raste të qarta, para së gjithash të sirianëve, që vijnë drejtpërdrejt nga zonat e luftës, procedurat do të përshpejtohen me siguri. Por ajo që nuk do të ndryshojë thuajse fare janë rastet e vështira, për shembull të refugjatëve nga Afganistani, të cilët janë arratisur pjesërisht për herë të dytë".
Përpunimi i kërkesave të tyre do të marrë në të ardhmen po kaq kohë sa tani, druhet ai. "Këtë e tregon përvoja në Manching dhe në Bamberg". Në të dyja kampet bavareze të pranimit që tani janë strehuar mbi 1000 vetë. Njerëz rrinë ngjitur me njëri-tjetrin pa punë dhe pa perspektivë - dhe që janë të izoluar në një masë të konsiderueshme nga bota e jashtme. Pikërisht këtë situatë e kritikojnë organizatat e refugjatëve.
"Dhjetë përqind e banorëve në Manching ndodhen atje që prej 18 muajsh", kritikon Këshilli Bavarez për Refugjatët në një deklaratë për shtypin. Njerëzit vuajnë në këto kampe të mëdha, sipas deklaratës, ndër të tjera nga "ndalimi për të punuar, detyrimi për të ndenjur në kamp, heqja e mundësisë për para në dorë, mungesa e kurseve të gjermanishtes dhe mungesa e mësimit në shkolla", thuhet më tej.
Sipas fjalëve të Horst Seehofer (CSU) në fakt askush nuk duhet të rrijë më shumë se 18 muaj në këto qendra. "Koha e qendrimit është përcaktuar: për familjet gjashtë muaj, për gjithë të tjerët 18 muaj", u shpreh ministri Federal i Brendshëm në maj, në një fjalim para Bundestagut.
Nismë kundërproduktive?
"Qendrat e transferimit të refugjatëve i shërbejnë frikësimit, kjo është shumë e qartë. Me to synohet që refugjatëve t'u jepet sinjali se këtu nuk janë të mirëpritur". Kjo ndoshta edhe mund të funksionojë, po do të ecte në kurriz të integrimit. Sepse kushtet e rënduara në një qendër refugjatësh - si për shembull detyrimi për të banuar aty - mund të jenë një faktor traumatizues shtesë për refugjatët.
Në përgjithësi koncepti i qendrave të refugjatëve ka pjesërisht një karakter simbolik politik, mendon Schiffauer. "Synohet që shoqërisë së shumicës t'i dërgohet sinjali: 'ne po bëjmë diçka, do ta vëmë të gjithë gjendjen nën kontroll'."
Nga ana tjetër, mund të pritet që banorët të përpiqen t'i shpëtojnë jetës në kamp. Përvoja të tilla ka në Zvicër, ku ekzistojnë institucione të ngjashme. Dhe përfundime deziluzionuese. "Gjysma e atyre që duhet të dëbohet thjesht janë fshehur dhe rrijnë ilegalisht në Zvicër ose në shtetet fqinjë", thotë Schiffauer.
Njëkohësisht, e shoqëruar nga protesta publike, qeveria e Landit të Bavarisë themeloi të premten (27.07) një Zyrë vetjake të Landit për Azil dhe Riatdhesim. Synimi kryesor i kësaj zyre do të jetë kthimi më i shpejtë dhe rigoroz i azilkërkuesve të refuzuar. Por njëkohësisht kryeministri bavarez Söder premtoi një "balancë më të mirë" midis kryerësve të veprave penale dhe atyre që duan të integrohen. Kur këta të fundit tregojnë "gatishmëri për integrim" do të kenë mundësinë që të bëjnë një kualifikim ose të kërkojnë një punë