Përdorimi i drogave në Shtetet e Bashkuara është shtuar. Të dhëna të reja nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve tregojnë se gjatë vitit 2016, më tepër se 40 mijë amerikanë humbën jetën për shkak të mbidozës nga opioidet.
Vartësia nga drogat është një epidemi që ka përfshirë vendin.
Çdo ditë, mesatarisht 115 amerikanë vdesin nga mbidozat që lidhen me opioidet. Tek këto substanca përfshihen droga të forta, si heroina, por edhe ilaçe për lehtësimin e dhimbjeve, si oksikodoni“oxycodone”.
“Njerëzit filluan t’i kushtojnë vëmendje këtyre ilaçeve në mesin e viteve 2000; ndaj tyre filluan të merren masa dhe u bë i më i vështirë përdorimi. Por në të njëjtën kohë, kishte një numër të madh njerëzish të dhënë pas drogës. Për këtë arsye, ata e drejtuan vëmendjen nga heroina; kartelet hodhën në përdorim sasi të madhe heroine dhe njerëzit që nuk gjenin dot ilaçe, filluan të përdornin heroinë.”- thotë Katie Zezima, e gazetës “Washington Post”.
Travis Rieder përjetoi tmerrin e varësisë tek opioidet, ndërsa përpiqej të merrte veten nga një aksident me motoçikletë. Ai thotë se opioidet nuk janë medoemos problemi.
“Humba këmbën në një aksident me motoçikletë. Kisha dhimbje të madhe akute. Duhej të merrja ilaçe. Nuk dita ta trajtoja si duhet dhimbjen, pikërisht këtu ishte problemi.”- kujton Travis.
Pam Bondi, anëtare e Komisionit për Drogën dhe Krizën e Opioideve, thotë se ky problem duhet trajtuar në një numër frontesh:
“Duhet goditur në të gjitha frontet; unë që jam prokurore, natyrisht që mendoj se duhen marrë masa të forta, për të mos lejuar qarkullimin e drogës. Kjo është shumë e rëndësishme dhe duhet luftuar në çdo fushë, që me edukimin e fëmijëve; tani drogat janë nga më të ndryshmet.”
Ekspertët thonë se masat ndaj opioideve të ligjshme dhe atyre të ndaluara nuk kanë patur efektin e duhur, ngaqë përdoruesit shpesh kthehen nga drogat sintetike, që janë edhe më të rrezikshme, kur nuk gjejnë dot opioidet e zakonshme.