Një katastrofë me pasojë jetën e 10-ra njerëzve ka ndodhur në Itali. Një urë është shembur në autostradën A10 në Genova dhe bashkë me të sipas raportimeve të para të mediave italiane kanë rënë edhe rreth 20 autovetura.
Mediat flasin për 11 viktima të nxjerra nga rrënojat, 2 persona janë nxjerrë të gjallë, ndërsa janë dhjetëra të plagosur. Por raportohet se numri i viktimave mund të rritet me kalimin e orëve.
Ministri italian i transportit tha se është një tragjedi e thellë. “Po e ndjek me shqetësim situatën në Genova dhe që me sa duket është një tragjedi e madhe. Jemi në kontakt të ngushtë me Autostradat dhe po shkojmë në vend me zëvendësministrin Rixi. Ndodhem pranë qytetit në këto orë”, shkroi në Tëitter ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Danilo Toninelli.
Ndërsa ministri i Brendshëm Matteo Salvini reagoi në Facebook për ngjarjen në fjalë duke thënë: “Po e ndjekim minutë pas minute situatën e shembjes së urës në Genova, falënderoj deri tani 200 zjarrfikësit dhe të gjithë heronjtë e tjerë që po punojnë për të shpëtuar jetë”.
Bëhet fjalë për urën Morandi, që lidh Genovën Perëndimore me Ligurian. Një pjesë e urës ka rënë mbi banesa e objekte të tjera. Në vend kanë shkuar një numër i madh ambulancash, zjarrfikësish dhe forcash policie. Corriere shkruan se ka persona nën rrënoja dhe janë aktivizuar njësitë e qenve për të kryer kërkime.
Dhjetëra telefonata kanë mbërritur në policinë italiane, ndërsa fotot janë postuar në “Facebook”.
Dyshohet se ajo që ka shkaktuar shembjen e urës mund të ketë qenë një kolaps strukturor, që ka ndodhur në pjesën që kalon mbi rrugën “Ëalter Fillak” në zonën e Sampierdarena.
Të dyja karrexhatat kanë rënë në tokë për rreth njëqind metra. Në autostradën A10 Genova-Savona është mbyllur kryqëzimi midis A7 Milano-Genova dhe Genova Aereoport në të dy drejtimet.
Më 6 gusht një autocisternë me lëndë djegëse shpërtheu në zonën Borgo Panigale, në Bolonja duke lënë të vdekur një person dhe plagosur 67 të tjerë. Si pasoje e shpërthimit një pjesë e urës së Bolonjës u rrëzua.