Erdogan edhe i çmendur: Do të bojkotojmë produktet elektronike amerikane

Tuesday, 14 August 2018 19:02

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë marrë një goditje të fortë vitet e fundit dhe janë acaruar edhe më shumë në 2-3 javët e fundit si rezultat i përplasjes së interesave lidhur me konfliktin në Siri, synimet turke për të blerë një sistem rus të mbrojtjes dhe ndalimin e pastorit amerikan, Andrew Brunson. Pas tarifave amerikane të javës së kaluar që shkaktuan një rënie drastike të lirës turke, Presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan ka reaguar me tone sfiduese duke kërcënuar se do të bojkotojë produktet elektronike amerikane:

Përplasjet diplomatike mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë thelluar krizën ekonomike turke dhe kanë shkaktuar një zhvlerësim rekord të lirës. Presidenti turk reagoi me një ton sfidues:

“Do të prodhojmë çdo produkt që e importojmë aktualisht me monedhë të huaj. Do të bëhemi ne vetë eksportues dhe do të bojkotojmë produktet amerikane. Ata kanë iPhonin, por të tjerë kanë Samsungun,” thotë presidenti i Turqisë.

Presidenti turk foli sot në Ankara duke siguruar audiencën se Turqia ka marrë masat e nevojshme për të mbrojtur ekonominë. Zoti Erdogan shtoi se përplasjet e fundit me Shtetet e Bashkuara janë pasqyrim i synimeve politike të Amerikës.

"Duhet të qëndrojmë të fortë në bindjet tona politike. Sulmi ekonomik që është ndërmarrë ndaj nesh nuk ka të bëjë fare me realitetin ekonomik, por është i motivuar nga synime të tjera. Prandaj edhe qëndrimi ynë duhet t’u përgjigjet këtyre synimeve”.

Presidenti Erdogan u bëri thirrje turqve të mos veprojnë të nxitur nga paniku duke këmbyer lirat turke për valutë të huaj. Një veprim i tillë do të ishte “dorëzim para armikut,” tha ai.

Komentet e presidentit pasojnë panikun në Turqi për zhvlerësime në masë të kursimeve e për fatin e investimeve, pasi lira ra mbi 40% këtë vit. Dje monedha turke arriti vlerën më të ulët kundrejt dollarit.

Problemet me monedhën turke ishin në fokusin e komenteve të ministrit të jashtëm rus në Takimin e Ambasadorëve dje në Ankara. Ai bëri thirrje për një sistem të ri monetary, ku dollari nuk shërben më si valuta e rezervave monetare të botës:

"Mendoj se me këtë përdorim të shfrenuar të dollarit në rolin e valutës së rezervave monetare botërore, dollarit do t’i bjerë gjithnjë e më shumë vlera. Një numër gjithnjë e më i madh vendesh, edhe ato që nuk janë goditur nga sanksionet amerikane, do të zgjedhin partnerë më të besueshëm dhe do të fillojnë të shkëmbejnë me monedhat e tyre kombëtare,” tha zoti Sergei Lavrov.

Në fjalën e tij, zoti Lavrov nuk përmendi nëse Rusia do të heqë dorë nga dollari në shkëmbimet tregtare me Turqinë, tani që lira turke ka shënuar rënie në nivele rekord.

Login to post comments