Zyrtarët e nivelit të mesëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës dështuan të bënin hapa para në raundin e radhës së negociatave, ashtu siç e kishte parashikuar edhe vetë Donald Trump. Dy ditë bisedime mes palëve rezultuan të kota, ndërkohë që gjatë kësaj kohe hynë në fuqi edhe tarifat tregtare respektive, që godasin 16 miliardë dollarë produkte të secilit vend.
“Ne vazhduan dy ditë diskutime me kolegët tanë nga Kina si dhe shkëmbyem këndvështrimet tona mbi mënyrën sesi e shohim barazinë, drejtësinë dhe reciprocitetin në marrëdhëniet tregtare”-deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë në lidhje me këtë çështje. Pjesë e diskutimeve mësohet se kanë qenë edhe çështje si ajo e pronësisë intelektuale, që ka qënë shpeshherë temë debati me Pekinin zyrtar.
Nënsekretari amerikan i thesarit dhe zv.Ministri kinez i Tregtisë nuk arritën dot kështu të gjenin një pikë të mesme, ndërkohë që konflikti mes dy ekonomive më të mëdha të botës sa vjen e thellohet. Nga ana e saj, qeveria kineze, deklaroi pas përfundimit të raundit të bisedimeve se, të dy palët patën një shkëmbim konstruktiv idesh si dhe do të qëndrojnë në kontakt për hapat e mëtejshëm. Pas dështimit të bisedimeve, tregjet aziatike, dhe kryesisht ato në Kinë e Hong Kong janë regjistruar në rënie.