Shtetet e Bashkuara dhe Meksika arritën një marrëveshje tregtare, duke e mënjanuar Kanadanë nga përpjekjet për të rishikuar ose zëvendësuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA), sipas Presidentit të SHBA, Donald Trump.
Marrëveshja e re do të quhet Marrëveshja Tregtare SHBA-Meksikë, tha Trump të hënën.
“Ne do të heqim dorë nga emri NAFTA, ai ka një konotacion të keq sepse Shtetet e Bashkuara u dëmtuan shumë nga NAFTA gjatë shumë viteve,” tha Presidenti Trump.
“Është një ditë e madhe për tregtinë, një ditë e madhe për vendin tonë,” u tha zoti Trump gazetarëve të pranishëm, të cilët ishin thirrur në Zyrën Ovale për të ndjekur një bisedë telefonike të zotit Trump me presidentin meksikan Enrique Pena Nieto.
Udhëheqësi meksikan shprehu shpresën për të “ripërtëritur, modernizuar dhe përditësuar” NAFTA-n, ndërkohë që retorika e Presidentit Trump lindte të kuptohej se ai e sheh si të tejkaluar marrëveshjen mes tre vendeve të nënshkruar 24 vjet më parë.
“Do të kemi një konferencë zyrtare për shtyp në një të ardhme jo shumë të largët”, i tha Presidenti Trump Presidentit meksikan Pena Nieto.
“Kjo është diçka shumë pozitive për Shtetet e Bashkuara dhe Meksikën”, u përgjigj zoti Nieto duke thënë se shpreson ta presë zotin Trump me tequila për të festuar. Ai i tha homologut të tij amerikan se është “shumë mirënjohës”. “E njoh mjaft vullnetin tuaj politik në gjithë këtë”, tha presidenti i Meksikës.
Meksika ka rënë dakord që të fillojë menjëherë blerjen e sa më shumë produkteve bujqësore nga Shtetet e Bashkuara, sipas zotit Trump.
Presidenti Pena Nieto largohet nga posti më 1 dhjetor, duke ia kaluar qeverinë pasardhësit të tij të majtë, Andres Manuel Lopez Obrador. Kjo nënkupton se parlamenti meksikan do të ketë kohë të mjaftueshme për ta ratifikuar marrëveshjen përpara ndryshimit të administratës.
Shtëpia e Bardhë pritet gjithashtu që zyrtarisht të njoftojë Kongresin deri në fund të kësaj jave rreth synimit për të nënshkruar një marrëveshje të re tregtare brenda 90 ditëve.
“Ka gjasa të nënshkruhet në fund të nëntorit,” tha Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë Robert Lighthizer, i cili ishte gjithashtu në Zyrën Ovale, së bashku me ministrin e jashtëm dhe të tregtisë së Meksikës, për bisedën telefonike Trump-Pena Nieto.
Që nga periudha e fushatës zgjedhore të 2016-ës, zoti Trump i referohet NAFTA-s si marrëveshja më e keqe tregtare në histori, duke përsëritur një retorikë tepër të ashpër për fqinjin jugor të Amerikës.
Zoti Trump, i cili fajëson NAFTA-n për humbjen e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara, ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur se do ta braktisë marrëveshjen tregtare me Kanadanë dhe Meksikën, e cila hyri në fuqi gjatë administratës Clinton në vitin 1994.
Ai ka hedhur poshtë marrëveshjet e tjera shumëkombëshe, si Partneriteti Trans-Paqësor (një pakt tjetër tregtar) dhe Marrëveshjen e Parisit për zbutjen e ndryshimeve klimatike, duke shprehur një preferencë të fortë për negociatat shtet me shtet mbi çështjet tregtare dhe të tjera.
Zoti Trump tha se së shpejti do të thërrasë kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe se Shtetet e Bashkuara janë të hapura për bisedime me Kanadanë nëse ajo është e gatshme të negociojë në mënyrë të drejtë.
“Unë do t’i jap fund marrëveshjes ekzistuese,” tha zoti Trump për NAFTA-n.
Presidenti amerikan gjithashtu kërcënoi fqinjin verior të Amerikës me ndëshkime nëse nuk arrihet marrëveshje.
“Sinqerisht, një tarifë për makinat është mënyra më e lehtë për ta bërë këtë”, tha zoti Trump.
Në Otavë, zyrtarët u shprehën se nuk do të përulen.
“Ne do të nënshkruajmë vetëm një NAFTA të re që është e mirë për Kanadanë dhe për klasën e mesme”, tha ministria e jashtme kanadeze në një deklaratë, duke shprehur gatishmërinë e Kanadasë për “të vazhduar të punojë drejt një marrëveshje NAFTA të modernizuar”.
Tregtia mes tre vendeve të Amerikës së Veriut arrin në rreth një trilionë dollarë në vit.