Gjermania kontribuon për trajnimin e specializimin e stafit të institucioneve juridike në Kosovë. Ministrja gjermane e Drejtësisë, Katarina Barley, priti të mërkurën në Berlin homologun e saj nga Kosova, Abelard Tahiri.
Vizita kishte më tepër si qëllim njohjen mes dy ministrave: "Kërkova një prezencë më të fortë të shtetit gjerman në konsolidimin e shtetit tonë të drejtësisë dhe fuqizimin e rendit dhe ligjit në Kosovë", i tha ministri Abelard Tahiri DW në përfundim të takimit.
Përkrahja gjermane për institucionet juridike të Kosovës bëhet me anë të Institutit për Bashkëpunimin Juridik, IRZ, me qendër në Bonn. Kjo shoqatë financohet nga qeveria gjermane dhe prej shumë vitesh bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës, Gjykatën kushtetuese, Gjykatën Supreme, Këshillat e gjykatësve dhe prokurorëve si edhe me Akademinë e Drejtësisë në Kosovë.
Në vitin 2018 është shtuar edhe ndihma në fushën e të drejtës penale për të rinj që bëhet në bashkëpunim me UNICEF Kosovën. Gjermania jep një kontribut të konsiderueshëm edhe për trajnimin dhe specializimin e stafit të institucioneve juridike që bëhen në kuadër të të ashtuquajturave Projekte Binjakëzimi të Bashkimit Europiian. DW