×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

"I duruari, i fituari në luftën tregtare"

E Enjte, 20 September 2018 10:14

Përballë manovrave kërcënuese të Trumpit me gjithnjë e më shumë dogana, Kina ka mundësi të ruajë qetësinë, mendon eksperti Shen Ling.

Deutsche Welle: Presidenti i SHBA, Trump vendosi me efekt 24 shtatorin dogana të reja ndëshkimore ndaj importeve kineze me vlerë 200 miliardë dollarë. Sa rëndë është e prekur Kina prej tyre?

Shen Ling: Masa e re nuk është e papritur e madhe, për të ka kohë që diskutohet. Trumpi, siç e njohim, do t'i imponojë me çdo kusht doganat ndëshkimore, megjithë rezistencën në popullin amerikan.

Në përgjithësi, doganat ndëshkimore me vlerë 200 miliardë dollarë nuk do të kenë ndonjë efekt shumë të madh te Kina. Në fund të fundit, tarifa e doganës në fillim është vetëm 10 përqind. Që kur në mars u bë e qartë se SHBA dhe Kina mund të zhvillonin një luftë tregtare, juani kinez përjetoi një zhvlerësim prej rreth dhjetë përqind. E parë thjesht teknikisht, dëmet nga doganat ndëshkimore kompensohen nga ky faktor.

Ajo që e ndikon më fort ekonominë kineze janë faktorët psikologjikë. Këtu Trumpi di si ta përdorë shumë mirë "artin e të bërit biznes". Kërcënimet e përsëritura dhe deklaratat kanë efekt shumë më të madh ndaj ekonomisë se sa taksat faktike doganore. Kjo pasqyrohet para së gjithash në bursën kineze, këtu atmosfera pesimiste ka ushtruar që tani ndikim negativ.

Negocatat midis Pekinit dhe Uashingtonit janë ndërprerë. A do të kthehen të dyja palët në dialog?

Unë jam thellësisht i bindur se negociatat do të vazhdojnë. Trumpi ndjek një strategji, të cilën fillimisht nuk e kemi pritur. Ai ecën sipas motos: po të mos veproj me kërcënime masive kundër Kinës, mund të arrij rezultate shumë të kufizuara në negociata. Kjo do të thotë, gatishmëri të mirëfilltë për negociata ai ndoshta nuk ka treguar ende, por vetëm ka shtuar kërcënimet dhe tani pret që Kina të bëjë lëshime nga ana e saj.

A është i kuptueshëm reagimi i Trumpit me taksa ndëshkimore ndaj deficitit tregtar?

Është fakt i njohur që Kina ka një tepricë gjigande tregtare përballë SHBA. Kina eksporton në tërësi mallra me vlerë rreth 500 miliardë dollarë në SHBA, por importet, në dallim nga kjo, janë vetëm 230 miliardë dollarë. Nga pikëpamja ekonomike, doganat ndëshkimore kundër Kinës nuk janë automatikisht në dobi të SHBA. Për mallra konsumi nga Kina, në tregun e SHBA zor se gjen alternativa. Nuk ka vende të treta, të cilat mund ta zëvendësonin Kinën në këtë sektor. Nga taksat ndëshkimore do të vuajnë në radhë të parë konsumatorët amerikanë. Trumpi është fiksuar pas deficitit tregtar, por një bilanc negativ tregtar nuk duhet të ketë patjetër efekt negativ ndaj SHBA.
Çfarë përfundimi pritet në luftën tregtare midis Kinës dhe SHBA?

Unë besoj se do të zgjasë. Për momentin ekonomia amerikane është në gjendje relativisht të mirë, kështu që Trumpi mund të llogarisë mbështetje, pavarësisht nga ajo që bën. Ka më shumë se një vit që kur është zgjedhur President dhe që atëherë u është dashur të largohen disa këshilltarëve ekonomikë, që nuk qenë dakord me politikën ekonomike të Trumpit. Nga kjo mund të shohësh se Trumpi nuk do ta ndryshojë mendjen për deficitin tregtar dhe tema të tjera.

Por për Kinën, edhe taksa të tjera ndëshkimore prej 25 përqind nuk janë patjetër goditje e rëndë, sepse faktori vendimtar konsiston në faktin në se dhe sa alternativa ka për eksportet kineze. Për zgjidhjen duhet kohë. Ndoshta pas disa vitesh amerikanët do të kenë një president të ri, atëherë politika ekonomike do të bëhet krejt ndryshe. Qeveria kineze dhe investorët privatë do të kuptojnë me kalimin e kohës edhe ngadalë, se lufta tregtare nuk është fundi i botës. Shumë shokë të mi, që merren me biznes, më treguan se këtë vit kanë fituar mirë, për shkak të zhvlerësimit të juanit. Nervoziteti për shkak të shkallëzimit të luftës tregtare do të bjerë me kalimin e kohës. DW

 Shen Ling është ekspert i ekonomisë dhe ka mbrojtur doktoraturën në Bonn. Ai punon aktualisht si asistent profesor në Businnes School der East China University of Science and Technology në Shangai.

 

Modifikuar më E Enjte, 20 September 2018 10:16
Login to post comments